Rama ‘klasifikon’ protestuesit: “Flamingot” janë Shqipëria e re, sorrat shëmbëlltyrë e opozitës

Për kryeministrin Edi Rama, në protestën e cila po zhvillohet në shesh prej 51 ditësh, ka flamingo dhe sorra siç i quan ai, duke i ndarë në dy kategori protestuesit.
Rama thotë se flamingot janë historia e Shqipërisë së re, e ndërsa ata që ai i etiketon si sorra, thotë se e kanë marrë peng protestën dhe se e kanë kthyer në shëmbëlltyrë të opozitës.
“Për çfarë unë kam reflektuar personalisht, nga pasqyra e bulevardit të flamingove është temë tjetër dhe do ta ndaj me të gjithë në ditët në vijim, por ai bulevard është shumë i ndarë, për mua të paktën. Është i ndarë për historinë. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re, kurse jo e sorrave dhe korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozite që nuk dihet më ku është. Nuk ka asnjë lidhje me historinë e të ardhmes së Shqipërisë, ka lidhje vetëm me të shkuarën, që është shumë shqetësuese për të parë historinë”, thotë kreu i qeverisë në një reagim të bërë sot në rrjetet sociale.
“Ekstremet e majta dhe të djathta që vijnë për të sjellë më të keqen për një vend përmes sharlatanësh, injorantësh dhe dështakësh e zemërakësh të pangushëllueshëm.”, shton ai më tej.