“Thirrëm në 00355”
Nga Astrit Gashi
Patetikët politikë, shumë nga të cilët janë shndërruar në deputetë me vota të vjedhura, të blera, të shkëmbyera e të kontrabanduara, këtë të mërkurë u dëshmuan patriotë të vërtetë, për t’u mburrur në mëhalla, a kafene lokale. Ua thotë mendja atyre. Në fakt janë as afër kësaj.
Edhe këtë e dëgjon njeriu nga deputetët tanë dhe nga mediet online: “Parlamenti i Kosovës aprovon kodin telefonik të Shqipërisë”. Për një moment të shkon mendja se njëmend është realizuar ideja e Hydajet Hysenit e Nait Hasanit me shokë për një shtet të përbashkët të shqiptarëve dhe se tashmë vetëm se jemi duke e jetuar këtë ëndërr. Por jo që kjo nuk është, por zor se mund të dëgjosh diku tjetër në botë një shembull që një parlament të udhëzojë qeverinë që të kërkojë e të marrë një kod të huaj e madje dhe që kjo pastaj të intepretohet triumfalisht si punë e kryer nga media- online-, thua ti se ky parlament mund të vendosë për një pasuri të Shqipërisë dhe jo pronari i tyre.
As njëra dhe as tjetra nuk janë të vërteta. Kjo që bëri parlamenti është turpërisht e krahasueshme edhe me miratimin e një rezolute për anëtarësimin e menjëhershëm të Kosovës në Bashkimin Evropian, apo si e tha një mik i imi, e krahasueshme me miratimin e një rezolutë për anëtarësimin e BE-së në Kosovë.
Sot kur Kosova përdor dy a tre kode ndërkombëtare, në mesin e të cilëve edhe atë të Serbisë, “patriotët” e foltores në vend se t’i bëjnë presion qeverisë si dhe bashkësisë ndërkombëtare për ta siguruar kodin ndërkombëtar telefonik të Kosovës, bënë të kundërtën i kërkuan të zmbrapsen për të marrë kodin e një shteti tjetër- të Shqipërisë.
A thua kaq pak seriozisht e marrin këtë shtet këta njerëz, sa që porositin qeverinë që nëse nuk mund ta “merrni kodin tonë, dorëzohuni e merreni një tjetër”. Shyqyr që kjo logjikë nuk mbizotëroi, ta zëmë, viteve të 90-ta se Milosheviçi sot do të ishte gjallë e i fortë, në krye të shtetit serb e ne do të ishim një provincë në kuadër të Serbisë!
Do të vlente angazhimi i përhershëm i deputetëve për një kod tonin, madje edhe sikur të mos arrihej ndonjë rezultat nga një formë e tillë e presionit, sot kur kemi një qeveri injorante e që rezolutat nuk i trajtoi jo vetëm si diçka joobligative, por nuk ua jep peshën as edhe sa të një letre tualeti.
Rezoluta e së mërkurës përveç se e pamenduar mirë për të qenë kërkesë e deputetëve të një shteti, ajo është po kaq zor e realizueshme në praktikë gati sa edhe vetë kodi vendor. Zor e realizueshme politikisht, sepse për të marrë ne kodin e Shqipërisë duhet së pari të vendosë vetë ky shtet dhe pastaj ta aprovojë Unioni ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU). Po pra, po kjo ITU, në të cilën për shkak të serbëve, rusëve dhe kinezëve nuk po arrijmë të kemi kod tonin telefonik. Si do ta zbusin tash këtë mospajtim të këtyre tri shteteve dhe disa tjerave nuk më duket se i ka shkuar ndërmend ndonjërit nga deputetët dhe as atyre që hartuan atë.
Ndërrimi i kodit pa dyshim se do të ketë edhe pasoja teknike. Kalimi i të gjithë numrave- që janë më shumë se 1.5 milion, edhe po të ketë aprovim nuk është se bëhet brenda natës, përkundrazi do të kërkojë të paktën disa muaj, e më së paku gjashtë. Varësisht nga kontratat që kanë operatorët mobilë me Monaco Telecom (Vala-PTK) dhe Telekomin Slloven (IPKO) një ndërrim i menjëhershëm është i pamundshëm dhe me shumë siguri jo edhe pa pasoja financiare.
T’i ketë menduar ndonjëri nga deputetët këto gjëra, apo ka mundësi që këta mendojnë se kjo punë është po aq e lehtë për t’u bërë sa edhe të hiqet një kabllo nga një prizë për ta futur në një tjetër. Nuk e di por gjasa ka. Çka, të zëmë, nëse 049, 045 ose 044 janë kode aktuale të ndonjë qyteti të Shqipërisë dhe si do të zgjidhej kjo dilemë? T’i kenë menduar, apo t’i kenë bërë pyetje këto? Nuk ma merr mendja fare.
Një mik i imi e tha: vetë ndërrimi i një kodi të huaj me një kod tjetër, nuk është asgjë më shumë se ndërrim i xhirollogarisë nga një bankë komerciale në tjetrën për të dërguar para.
Të merremi vesh, jo se kam diçka kundër kodit telefonik të Shqipërisë. Kjo gazetë ka qenë tërë kohën ithtare e fuqizimit të raporteve me Shqipërinë, dhe as s’e kam ndonjë frikë nga idetë e bashkimit kombëtar, por për faktin se kjo iniciativë është nisur mbrapshtë- nga fundi e jo nga fillimi- dyshoj jo vetëm në nevojën, por edhe në seriozitetin e saj. Thjesht dhe përditë po bëhemi gazi i botës.
Nuk bën pa e vënë në mendje se kodi telefonik i Kosovës ka qenë pjesë e diskutimeve “teknike” me Serbinë, dhe se një marrëveshje për të thuhet të ketë qenë e gatshme. A do të kishte qenë më mirë që qeverisë t’i kërkohej të raportojë se ku kanë ngecur gjërat në këtë drejtim, sesa t’i kërkohet një kod i ri i huaj? A do të ishte më mirë që nëse tashmë palët kanë qenë afër marrëveshjes dhe nëse diçka e tillë të pritet të realizohet brenda gashtë muajve, apo një viti- që deputetët të insistojnë te Qeveria por edhe të BE-ja që kjo të bëhet?
Do të ishte më reale që Qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare t’i kërkohej që të shtyjë përpara çështjen e një kodi telefonik të vendit- qoftë edhe gjeografik- diçka si 003813 ose 003815. Të dy këto mundësi shumë të realizueshme.
Si duket këto nuk janë brengat e deputetëve tanë. Sepse këta, me përjashtime, nuk janë aty për të zgjedhur ndonjë hall e për të adresuar ndonjë kërkesë, por më shumë për t’u bërë sikur janë yje televizive.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.