Siguria e Rinasit, TIA ishte njoftuar, e përcolli te Aviacioni Civil

Dalin në dritë të tjera fakte mbi mungesën e theksuar të sigurisë në aeroportin e Rinasit, ku u grabitën rreth 6.5 milionë Euro.
Autoritetet e aeroportit ishin paralajmëruar disa muaj më parë nga policia për problemet në perimetrin e sigurisë.
Një letër e firmosur nga shefi i Policisë së Rinasit, Përparim Demo, evidenton problemet në portat e emergjencës por edhe me mungesën e sensorëve në gardhin metalik rrethues.
Drejtori i Përgjithshëm ekzekutiv i TIA-s, Rolf Castro Vasquez, përgjigjet me një letër ku i kërkon policisë që për çështje të cilat lidhen me masat e sigurisë të zbatuara në aeroport, Komisariati i Rinasit duhet të adresojë shqetësimet tek Autoriteti i Aviacionit Civil.
Korrespondenca mes Policisë së Rinasit dhe TIA-s është vënë në dispozicion edhe të prokurorëve të çështjes të cilët po analizojnë veprimet e të dyja palëve për të nxjerrë përgjegjësit.
Prokurorët nuk kanë marrë asnjë person në pyetje, ndërsa vazhdojnë të sekuestrojnë të gjithë dokumentacionin dhe praktikën e ndjekur në Aeroportin e Rinasit ditën kur ndodhi grabitja.