Faksimile: Kryebashkiaku në listën e të shpërblyerve për 21 janarin

Një dokument i brendshëm i Gardës së Republikës botuar nga DITA tregon listën e oficerëve të shpërblyer të Gardës pjesëmarrës në vrasjet dhe plagosjet e protestuesve në 21 janar 2011.
Dokumenti i datës 26 janar 2011 mban firmën e kreut të Gardës Ndrea Prendi dhe bazohet në një vendim të Këshillit të Ministrave firmosur në 22 janar 2011 vetëm një ditë pas ekzekutimeve përpara Kryeministrisë.
Në dokument gjendet edhe emri i oficerit Agron Malaj, sot kryetar i Bashkisë së Matit, i kandiduar 30 qershorin e shkuar nga Rilindja.
Në një prononcim gjatë shpalljes së kandidaturës, kryeministri Edi Rama justifikoi vendimin e habitshëm duke thënë se Malaj nuk kishte lidhje me atë që ndodhi në 21 janar.
Por Malaj jo vetëm rezulton në këtë listë shpërblimesh, por është klasifikuar tek ata që kanë marrë 4 paga shpërblim, pagesë të cilën e kanë marrë vetëm drejtuesit e Gardës dhe ata që kanë shtirë mbi turmën.
Të tjerët kanë marrë vetëm 1 pagë.
Nga leximi i listës kuptohet që Malaj është shpërblyer njësoj sa Ndrea Prendi, apo Agim Llupo, i cili është vrasës i provuar me video i të paktën dy prej protestuesve.
4 paga ka marrë edhe Alfred Ahmetcenaj, ish-komandant në grupin e zjarrit në 21 janar, i cili ka zbrazur 117 plumba në turmë sipas dosjes hetimore dhe që sot drejton protestat e dhunshme të opozitës (kliko KËTU)
Nuk është hera e parë që Rama gënjen publikisht pasi promovon persona të përfshirë në krimin dhe mbulimin e krimit të 21 janarit.
Në përvjetorin e tetë të 21 janarit këtë vit, duke folur për reformën në drejtësi Rama tha në Parlament se “gjykatësit e 21 Janarit sot janë në rrugë, nesër do jenë në burg”.
Por Aleksandër Muskaj, një nga gjyqtarët kryesorë në kalvarin e 21 janarit (një nga 5 gjykatësit e Gjykatës së Lartë që e fundosi në mënyrë definitive drejtësinë për ekzekutimet publike të 8 viteve më pare) rezulton i propozuar nga vetë Rama si anëtar përfaqësues i Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (kliko KËTU).
Muskaj ishte në trupin gjykues që mori vendimin përfundimtar për rrëzimin e dënimit për komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo.
Lista e plotë mund të lexohet sot në Dita version print
a.d. / dita

Shumica janë shpërblyer me një rrogë, veç kreut të Gardës dhe atyre që kanë hapur zjarr në turmë, të cilët janë shpërblyer me 4 rroga

Me 4 paga figuron në listë i shpërblyer edhe Alfred Ahmetcenaj, i cili ka shtirë mbi turmë në 21 janar, sot një nga drejtuesit e dhunshëm të protestave PD-LSI

Agim Llupo, vrasësi i provuar i së paku dy viktimave dhe Agron Malaj bashkë me të tjerët e grupit të zjarrit

