Që të mos kemi diplomaci qokash

Konsulli i Republikës së Shqipërisë në Selanik, me gradën sekretar i parë, i drejtoi një letër Ministrit të Punëve të Jashtme në detyrë, Gent Cakaj, për largimin e tij nga detyra. Duke e qortuar për arrogancën e pakuptimtë, gjithnjë sipas letrës, ai, mes të tjerave, i ka kërkuar për t’i dhënë mundësinë djalit të tij të mbarojë klasën e dytë të gjimnazit, po në Selanik.
Kohët e fundit, ministri në detyrë, Cakaj, ka bërë shumë lëvizje, largime nga detyra apo ka ndërmarrë veprime për të zhvendosur një kontigjent nëpunësish, në dikasterin që drejton e më shumë në diplomacitë tona jashtë Shqipërisë, të cilëve, ose u ka mbaruar mandati, ose janë jashtë kritereve në detyrën e tyre. Mes të tjerëve është edhe rasti i sipërm, i cili, jo rastësisht e percepton detyrën e tij si një vazhdimësi, dhe e akuzon zotin Cakaj për largim të pa arsyetuar. Por, përtej saj, ajo që të bën përshtypje dhe kërkon vëmendje është kërkesa e të larguarit, si mund të jenë edhe të tjera, të cilat kërkojnë nga dikasteri, konkretisht nga ministri në detyrë, që të mendojë edhe më tej për jetën e tij private.
Është e vërtetë se përfaqësitë tona diplomatike janë të mbushura jo pak me të vendosur që nuk e meritojnë të jenë aty, që vegjetojnë nëpër seli, tunden e shkunden duke e quajtur gjithçka një detyrim të shtetit ndaj jetës së tyre.
Ata kërkojnë nga shteti që të jetë edhe më tej kujdestari i jetës së tyre, i fëmijëve dhe i të afërmve të tyre, të jetë i përkushtuar që fëmijët të mbarojnë shkollimin, që të kenë banesë dhe punë, mundësisht jashtë shtetit, pasi kthimi në vendin e tyre i duket si një fatkeqësi që duhet ta përjetojë edhe ministri.
Zoti Cakaj bëri mirë që e filloi reformimin e stafit diplomatik apo të dikasterit që drejton. Kjo ka qenë e domosdoshme dhe, kemi bindjen se do të rilindë punën e diplomacisë sonë jashtë shtetit, por edhe në ministrinë e jashtme.
Kjo është pjesa e parë e reformimit të Ministrisë së jashtme dhe, sado që duket e vështirë, e dhimbshme dhe e rëndë nga ndërhyrjet që bëhen e do të vazhdojnë të bëhen, përsëri është shumë më e lehtë se sa pjesa tjetër: vendosja në dikaster dhe në përfaqësitë tona njerëz të aftë, të ditur, të përkushtuar, të cilët nuk do e shohin gjithë këtë si privilegj, si një përjashtim nga rregulli që bëhet vetëm për to.
Puna më e vështirë do të fillojë pikërisht tani. Nëpër skedat e ministrisë do të fillojnë të vërshojnë përsëri kërkesat e shumta, nga gjithëfarë “ sejmenësh”, të politikës apo të oligarkisë financiare, me lidhje me pushtetin apo financues të tij, të afërm të deputetëve dhe të rangjeve të larta të pushtetit.
Do të ndodhë që si një ofensivë të vërshojnë kërkesat dhe, nëse do të mbyllen sytë e do të vijojë praktika e afrimit të “krushqive” politike, duke patur si pajë një vend në diplomaci, atëherë nuk do të ndodhë asgjë: do të ikin një palë dhe do të vijë një palë tjetër, ndoshta edhe ato jashtë kërkesave dhe standardeve, dhe, si edhe më parë, gjithçka do të shembet nën rropullimën e aferave dhe të paaftësisë.
Pak ditë më parë se si motra e një ish ministre të Integrimit të kohës së PD-së për faktin se jeton në Spanjë kërkonte me anë të një letre se kërkonte punë në ambasadë. Një rrugë e dy punë.
Puna më e vështirë që do të fillojë tani duhet të ketë përqendrimin në krijimin e një diplomacie ndryshe, e cila, edhe pse në disa raste ka pasur arritjet e saj, ka ende shumë për të bërë, sidomos për të krijuar jashtë Shqipërisë, jo vetëm vatra të ngrohta për bashkëatdhetarët dhe shërbimin ndaj tyre, por, duke u bërë përfaqësues të denjë të vendit, të afrojnë biznesmenë, afaristë, firma të rëndësishme, të mesme apo të mëdha, që të investojnë në Shqipëri.
Puna e gjithësecilit të matet me atë se çfarë bën dhe jo se kush e ka dërguar.
Atëherë nuk do të kemi qarravitje konsullore, por një shërbim të të duhur, për njerëzit tanë, kudo që janë./DITA