Maqedonasit: Akademia duhet paditur për ndarjen e propozuar në vitin 2001
Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve duhet paditur, pasi në vitin 2001, planifikoi ndarjen e Maqedonisë. Ekspertët e çështjeve juridike sqarojnë se padia ndaj Akademisë dhe akademikëve të veçantë mund të ngrihet nëse në vitin 2001 ka pas dokument që vërteton planet për ndarjen e Maqedonisë. “Duhet vërtetuar, nëse ka pas dokument që planifikon ndarjen dhe në bazë të atij dokumenti mund të ngrihet padi penale. Por në rast se nuk ka pas dokument dhe gjithçka ka qenë vetëm në nivel të bisedimeve, atëherë nuk ka bazë për të ngritur padi”, thonë ata. Ekspertët sqarojnë se nëse vërtetë gjendet ndonjë dokument i tillë, atëherë padi mund të ngrihet ndaj akademisë si institucion dhe ndaj akademikëve që e kanë përpiluar këtë ide.
Ndër akademikët që bënë planin për ndarjen e Maqedonisë në Vitin 2001 ishin akademiku i ndjerë Gjorgji Stardellov, redaktori I enciklopedisë fyese, akademik Bllazhe Ristovski dhe akademik të tjerë. Plani për ndarjen e Maqedonisë u ri-aktualizua pas botimit të librit autobiografik “Ky jam unë” të ish kryeministrit Ljupço Georgievski, i cili flet në detaje për planet e ndarjes së Maqedonisë në vitin 2001, bisedimet me kryeministrin e ndjerë serb Zoran Xhinxhiq dhe detaje të tjera.
Kundër ish kryeministrit Georgievski është ngritur kallëzim penal nga ana e partisë Kongresi Botëror Maqedonas (KBM) për planet për ndarjen e Maqedonisë . Kryetari I KBM-së, Todor Petrov tha se Georgievski ka rrezikuar tërësinë territoriale të Maqedonisë. “Georgievski pranoi vetë se në vitin 2001 si kryeministër i Maqedonisë kishte ndërmarrë veprimet për ndarjen dhe copëtimin e territorit të Maqedonisë dhe bashkëngjitjen e një pjese me Shqipërinë”, tha ai duke arsyetuar akuzën dhe duke zbardhur detajet e takimeve midis Georgievskit dhe ish-kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç për ndarjen e vendit.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.