“Më nxirrni nga qelia”, Ilir Meta gati “të hapë thesin”, do të lërë 50 milionë lekë garanci në Gjykatën e Posaçme për të dalë nga burgu

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar me një kërkesë të re Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar nga togat e zeza që të pranojnë një kërkesë të tij për të dalë nga qelia, në këmbim të garancisë pasurore.
Siç bëhet me dije, ai ka ofruar të lërë 50 milionë lekë të vjetra garanci në gjykatë, në këmbim të lirisë, duke këmbëngulur për herë të dytë se nuk do të arratiset.
Më herët, në muajin Mars 2026 para se të niste gjykimi me themel, Ilir Meta kërkoi përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani që të dilte nga qelia. Gjykata e Posaçme e rrëzoi, ndaj ish-presidenti i është drejtuar me një kërkesë të dytë.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme vendosi në 18 Mars që të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të tij, ish bashkëshortes Monika Kryemadhi, nënës së kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhos dhe Ema Çoku.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024. Ish-presidenti po hetohet për 3 çështje aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Aktualisht SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja e tij është dërguar për gjykim.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.