“Më është kthyer në makth”, Aeroporti i Vlorës në “ngërç”, Behgjet Pacolli: Po pengohet nga njerëz që shesin shpirtin, ishalla nuk përshkallëzohet…(REAGIMI)

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish për situatën e krijuar rreth Aeroportit të Vlorës, pas vendimit të Gjykata e Apelit të Tiranës, e cila e përjashtoi përkohësisht nga administrimi i projektit deri në shqyrtimin në themel të konfliktit me ish-ortakun Valon Ademi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli shprehet se projekti kishte nisur si një ëndërr e madhe për të krijuar një vepër me vlerë për Shqipërinë, por sot, situata është kthyer në shqetësim për të që rrezikon të marrë përmasa të pakontrolluara.

“Njëherë erdha me zemër të mbushur me gëzim me dëshirë dhe me një ëndërr të madhe : të krijoj diçka me vlerë, një margaritar, një trashëgimi që do t’i mbetej Shqipërisë. Ishte një rrugë e nisur me besim dhe pasion”, shkruan Pacolli duke theksua kështu se kjo ëndërr e madhe i është kthyer në një “makth”.

Por pavarësisht të gjitha këtyre sfidave dhe problemeve me të cilat po përballet, Pacolli thotë se vijon të jetë i përkushtuar ndaj realizimit të kësaj vepre duke paralajmëruar më tej se  ajo nuk duhet të pengohet nga padrejtësitë, veprimet e dëmshme apo interesa që bien ndesh me të mirën publike.

“Jam ende i përkushtuar. Ende besoj se kjo vepër mund dhe duhet të ekzistojë. Por kurrë nuk duhet te pengohet nga padrejtesija nga njerëz të dhunshëm nga njerëz  qe shesin shpirtin e tyre nga njerëz  te liget dhe mashtrues”, shkruan ai.

Kujtojmë se ditë më parë  Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi që të përjashtonte Pacollin nga nga administrimi i Aeroportit, deri në gjykimin në themel të konfliktit mes tij dhe Valon Ademit.

Me vendimin e marre Apeli konfirmoi masën e Gjykatës së Shkallës së Parë që kishte përjashtuar kompaninë Mabco nga e drejta e votës dhe administrimit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport duke e lënë administrimin e aeroportit në dorën e Valon Ademit.

Postimi i Behgjet Pacollit:

Njëherë erdha me zemër të mbushur me gëzim me dëshirë dhe me një ëndërr të madhe : të krijoj diçka me vlerë, një margaritar, një trashëgimi që do t’i mbetej Shqipërisë. Ishte një rrugë e nisur me besim dhe pasion.

Por sot, ajo ëndërr është duke u kthyer në ankth. Ajo që duhej të ishte krenari po shndërrohet në një problem që rrezikon të marrë përmasa të rënda – dashtë Zoti të mos shkojë deri në pershkalzim te pakontrolluar.

Jam ende i përkushtuar. Ende besoj se kjo vepër mund dhe duhet të ekzistojë. Por kurrë nuk duhet te pengohet nga padrejtesija nga njerëz të dhunshëm nga njerëz  qe shesin shpirtin e tyre nga njerëz  te liget dhe mashtrues.

Është e dhimbshme kur sheh se e mira luftohet, ndërsa e keqja gjene mbështetje.

Disa thonë se janë me Zotin… por unë pyes: kur dëmtohet e drejta, kur pengohet e mira, a mund të jetë ne harmoni me Zotin?

Unë zgjedhe të qëndroj me të drejtën, me punën dhe me të vërtetën. Sepse vetëm ato ndërtojnë diçka që mbetet.

…Dhe unë nuk do të ndalem!

Përplasja në Aeroportin e Vlorës: 

Aeroporti i Vlorës është përfshirë në një skemë të errët, me përplasje mes aksionerëve dhe hetime nga organet e drejtësisë. Konflikti mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka marrë përmasa publike dhe ligjore, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetime për kontratën koncesionare që financon projektin.

Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve,  Yda , të cilët i shitën aksionet e tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë ku atij i kaluan 47% të aksioneve.

2A Group e Ademit kërkon të njihet si 47 për qind aksioner duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.

Gjithashtu ai ka akuzuar Pacollin se ka bërë marrëveshje financiare, huanë prej 100 milionë eurosh, pa e njoftuar dhe përfshirë në mënyrë të saktë ortakun e vogël, dhe se shumë nga këto fonde nuk kanë ardhur të regjistruara në Shqipëri.

Avokati i Ademit ka deklaruar se kur firma turke që kishte marrë pjesë në projekt (YDA Group) u tërhoq, aksionet e saj kaluan te Mabco, e Behgjet Pacollit, dhe në të njëjtën ditë u nënshkrua marrëveshje mes Pacollit dhe Ademit, me ndarje që sipas tyre duhej të ishte 49–51. Por Mabco kundërshton këtë variant dhe nuk pranon që të bëhet regjistrim zyrtar i pjesëmarrjes sipas kontratës noteriale.

Më herët Pacolli ka vendosur të shkarkojë administratorin e kompanisë koncesionare të aeroportit, Valon Lluka, me votat e vetë Mabco-s, pa praninë ose miratimin e 2A Group. 2A Group pretendon se ky veprim është bërë për të forcuar kontrollin e Pacollit dhe për të eliminuar çdo pengesë institucional ose ligjore. Gjykata e Tiranës ndërhyri duke pezulluar lëvizjet e Pacollit lidhur me aksionet e aeroportit, duke ndaluar çdo ndryshim në strukturën e aksioneve derisa të sqarohet ligjërisht se kujt i takojnë ato aksione në të vërtetë. Ndërkohë, Valon Ademi ka bërë kallëzime penale kundër Pacollit, përfshirë akuza për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe manipulim të aksioneve.

Ndërkaq, SPAK ka marrë një rol kyç, në korrik 2025 është regjistruar një procedim penal në fazë paraprake për kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës. SPAK po heton nëse kontrata është dhënë në mënyrë të ligjshme, nëse kushtet financiare dhe ndërtimore janë përputhur me ligjet për prokurimet publike dhe nëse janë abuzuar me procedurat e kontraktimit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT