Korridori VIII dhe Porto Romano, Kapri-Karakaçit: Tregoni kush janë vendet e huaja që ndaluan projektin

Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë një interpelance me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kërkoi më shumë transparencë për projektet e Korridori VIII dhe Porto Romano.
Kapri ngriti shqetësime mbi mungesën e sqarimeve për largimin e kompanive të huaja dhe pretendimet për ndërhyrje të faktorëve të jashtëm në këtë projekt strategjik.
Ai theksoi rëndësinë ekonomike dhe të sigurisë që mbart Korridori VIII për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një nga investimet më të rëndësishme për integrimin europian të vendit. Deputeti kërkoi përgjigje konkrete mbi kostot, procesin dhe ndikimet e mundshme të jashtme në realizimin e projektit.
“Më bëri përshtypje qetësia juaj olimpike, ku gjithçka që ju sapo folët po hetohet nga drejtësia. Korridori i VIII është projekti më i madh ekonomik i botës shqiptare. Përfundimisht ky korridori e fut Shqipërinë në ekonominë europiane. Korridori i VIII i rrit sigurinë shqiptare. Çështja është që duket e pabesueshme që ju flisni për një port 3 herë më të madh, kurse në projekt kostoja ishte më e vogël.
Ju përmendët që është bërë studimi me kompani të huaja, por nuk dhatë shpjegime pse ikën kompanitë e mëdha. Çështja është që ju nuk dhatë një sqarim tjetër që lidhet me pjesën e sigurisë, të cilën e ka bërë çështje kryeministri, ku tha që kemi pasur ndërhyrje të huaja që nuk e duan portin, por ne do e bëjmë. Ne duam një transparencë se kush ka qenë këto vende të huaja. Ju jo vetëm që nuk e merrni seriozisht. Shqiptarët humbën 8 milionë uro, diçka është luajtur.
Projektin nuk e keni bërë transparente. Ky është një sinjal nga aleatët tanë që na thonë thirrini mendjes. Na sqaroni kush janë këto forcat e huaja që po ndërhyjnë në Shqipëri, për të ndaluar këtë projekt të madh. Nuk ka projekt më të rëndësishëm se sa korridori VIII”, tha Erald Kapri.