“Kjo është pasaporta europiane?” Plehra, fekale dhe kutërbim në kanalin kryesor të Çermë Sektorit në Divjakë, Korreshi thirrje institucioneve: Merrni masa

Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, përmes një videoje në rrjetet sociale, ka denoncuar gjendjen skandaloze në të cilën ndodhet kanali kryesor në fshatin Çermë Sektor të Bashkisë Divjakë.
Në videon e publikuar në Facebook, Korreshi denoncon se ky kanal, i cili ndodhet shumë pranë banesave, është i mbushur me fekale dhe plehra.
Më tej, ai ka hedhur akuza ndaj pushtetit lokal se nuk kanë marrë masa, teksa ironizon me fjalët: “Kjo është pasaporta europiane”.
“Kjo është rruga kryesore që të çon në Çermë Sektor, njësia administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë. Urdhëroni ku janë lënë plehrat dje, pasi unë nuk konstatoj kosha këtu. Shihni si vijnë fekalet nga këtu. Shihni këto: goma, plehra, fekale, qelbësira. Kjo është pasaporta europiane, duke filluar nga kryetari i Bashkisë së Divjakës, tek delegumët e delesumët. Nuk di ku shkojnë taksat, por kam një vit që e kam denoncuar dhe gjendja është më keq, s’ka ku të shkojë”, tha ai.
Po ashtu, deputeti demokrat u ka kërkuar institucioneve që të marrin masa për këtë situatë, pasi sipas tij gjendja është e mjerueshme.
“Shihni, o njerëz, a shkojmë kështu në Europë ne? Këtu është hale dhe halet i kemi në derë të shtëpisë. Nuk rrihet këtu. Nuk dihet si rrinë banorët. A ka Ministri Shëndetësie këtu? A ka higjienë? Këtu ka familje dhe nuk e di si jetojnë kështu dhe si i lini të jetojnë kështu, kur këta paguajnë taksa. Këta do të hyjnë në Europë si ju që rrini në Bllok, po a hyhet në Europë me këtë gjendje?”, deklaroi ai.