Të varur nga buka e Serbisë dhe e Rusisë
Serbia dhe Rusia vazhdojnë ta mbajnë primatin e eksportuesve më të mëdhenj të grurit dhe miellit në Kosovë.
Nga më shumë se 78 milionë kilogramë miell dhe grurë të importuar gjithsej gjatë periudhës janar-qershor 2012, vetëm nga Serbia dhe Rusia janë importuar 66 milionë kilogramë.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, sipas statistikave të Doganave të Kosovës, janë importuar 37.5 milionë kilogramë grurë, 20 milionë kilogramë miell dhe 8.5 milionë kilogramë grurë janë importuar nga Federata Ruse.
Ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar ishin importuar rreth 80 milionë kilogramë miell dhe grurë.
Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, ka thënë të martën se Kosova mezi po i siguron vetëm 30 për qind të nevojave të popullatës me prodhimin e grurit vendor.
“Pasi që edhe në sektorët tjerë të bujqësisë së Kosovës nuk kemi kurrfarë progresi, por regres, po vazhdon një gjendje e rëndë në bujqësinë kosovare, po vazhdon rritja e numrit të familjeve të varfra, po rritet numri i të papunëve dhe së shpejti do të vijë një krizë e rëndë sociale për shumicën e popullatës”, ka thënë ai.
Përkundër faktit se statistikat e Doganës flasin për import të lartë të grurit dhe miellit, muajin e kaluar, me fillimin e fushatës së korrje-shirjeve në vend, kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar se rendimentet e grurit në fushatën e sivjetme të korrje-shirjeve, ashtu sikurse në vitin e kaluar, Kosovën përsëri po e rendisin në njërin nga vendet e para në rajon për rendimente të larta në prodhim.
“Edhe sivjet kemi një rekord në rendimentet e grurit dhe i uroj të gjithë qytetarët dhe bujqit kosovarë për këtë sukses. Kosova po shndërrohet me të vërtetë në një hambar të fuqishëm, prandaj jam këtu që t’i inkurajoj edhe më tutje bujqit kosovarë, por edhe të zotohem se Qeveria e Kosovës do t’i rrisë përgjegjësitë edhe më tepër, që të jetë sa më afër bujqve, në mënyrë që të kemi suksese të reja”, pati theksuar kryeministri Thaçi.
Ndërsa ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, ka folur për rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë. “Sivjet janë rritur sipërfaqet e mbjella me grurë me rreth 6 mijë hektarë të rinj. Kemi rreth 9 mijë fermerë që e mbjellin këtë kulturë “, ka thënë Stavileci.
Sipas tij, rendimentet mesatare në nivel vendi po sillen në rreth 4 mijë kilogramë për hektar. Ndërsa, sipas raporteve të drejtorive komunale, sipërfaqe të mbjella me grurë këtë vit kanë qenë 83.875 hektarë.
Importi i miellit dhe grurit nga Serbia, gjatë vitit 2012
Qershor
9.7 milionë kilogramë grurë
4.5 milionë kilogramë miell
Maj
7.2 milionë kilogramë grurë
3.2 milionë kilogramë miell
Prill
7.1 milionë kilogramë grurë
2.9 milionë kilogramë miell
Mars
5.4 milionë kilogramë grurë
4.3 milionë kilogramë miell
5.5 milionë kilogramë grurë nga Federata Ruse
Shkurt
4.5 milionë kilogramë grurë
2.5 milionë kilogramë miell
Janar
3.6 milionë kilogramë grurë
2.1 milionë kilogramë miell
3 milionë kilogramë grurë nga Federata Ruse
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.