Kravata me shqiponjën dykrenare u “jep zemër” ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi “sfidon” gjykatësit në Hagë

Ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës dolën këtë të mërkurë para togave të zeza në Gjykatën Speciale në Hagë, për të deklaruar edhe një herë me zë të lartë se: “janë të pafajshëm”.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, mbajtën fjalët e tyre përmbyllëse, duke ritheksuar bindjen se procesi ndaj tyre është i padrejtë dhe se lufta e tyre kishte vetëm një qëllim, lirinë e vendit.
Seanca u ndoq me vëmendje nga mbarë shqiptaria ku çdo deklaratë, çdo fjali, çdo gjest u analizua me kujdes. Por mes emocioneve të forta, një detaj simbolik nuk kaloi pa u vënë re: kravata e Jakup Krasniqit.
Ai në këtë ditë kaq të rëndësishme për të dhe shokët të cilët po përballen prej 5 vitesh me një drejtësi të cunguar, kishte vendosur që të vishte një kravatë me sfond të kuq dhe shqiponjën dykrenare të zezë, për të treguar kështu krenarinë që në venat e tij rrjedh gjak shqiptari dhe që ka luftuar për të parë tokën e tij të lirë.
Sakaq kujtojmë se në fjalën e tij përmbyllëse Krasniqi theksoi se gjithë jetën e kishte udhëhequr bindja se çdo njeri meriton të jetojë i lirë dhe me dinjitet. Ai ngriti shqetësimin për të drejtat e tij, duke pohuar se prej vitit 2020 mbahet në paraburgim dhe se sipas bindjes së tij i janë cenuar të drejtat themelore, përfshirë të drejtën për liri.
Krasniqi i cili mbi supe mbart 75 vite jetë, theksoi se në fund të jetës së tij dëshiron të jetojë vitet e mbetura me dinjitet, pranë familjes dhe në atdheun që e konsideron të lirë.
“Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër to më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fundin e fazës së jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha ai.