“Lëvizje për të mbajtur status quo-në pas 9 nëntorit”, Dash Sula: PD po bojkoton zgjedhjet, dikur plot me resurse e sot nuk gjejnë kandidatë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dash Sula, dhe një ndër kritikët më të zëshëm të lidershipit aktual të kësaj force politike, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kryesisë së PD-së për të mos garuar me kandidatë nga radhët e partisë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, që do të mbahen në 6 bashki të vendit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sula e cilëson këtë vendim si një formë bojkoti nga lidershipi i PD-së, duke e konsideruar si të dëmshëm për partinë dhe për vetë procesin zgjedhor.

“Lidershipi i PD po bojkoton zgjedhjet! Kryesia ka vendosur që në këto 6 bashki të mos përfaqësohemi me një emër nga radhët tona, por me kandidatë të propozuar nga shoqëria civile. Ky është një sinjal i qartë se PD po i dorëzohet garës pa luftuar,” shkruan ai.

Teksa ka ngritur disa pikëpetja të forta mbi efektet e këtij vendimi, Sula thekson se nëse PD nuk ka më emra të vetët për të garuar, sipas tij kjo tregon mungesën e thellë të frymëzimit dhe lidershipit të brendshëm.

Postimi i Sulës:

Lidershipi i PD po bojkoton zgjedhjet! Kryesia e Partisë Demokratike paska marrë vendim që në 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme më 9 Nëntor, të mos garojnë me një emër që vjen nga radhët e Partisë Demokratike por nga shoqëria civile.

De fakto, ky vendim përkthehet: Partia Demokratike po i bojkoton zgjedhjet. Unë jam nga ata që mbroj tezën që Partia Demokratike duhet të hapet për figura të reja. Kujdes, Partia Demokratike po them.

Të marrësh një figurë nga çdo kategori e shoqërisë dhe ta vendosësh në garën për bashkinë më te madhe dhe më të rëndësishme të vendit është djallëzore.

1- Me një kandidaturë jashtë radhëve të PD nuk të angazhohet asnjë strukturë e partisë në fushatë dhe praktikisht e humbe garën në tavolinë.

2- Me një kandidaturë jashtë radhëve të PD por nga shoqëria civile, me humbjen e garantuar lidershipi i PD po përgatit argumentin e paszgjedhjeve për të mbajtur statuskuone. ( E shikoni që nuk është problemi te Drejtuesit e PD. Edhe kandidatura nga shoqëria civile edhe të bashkuar nuk e mundim dot regjimin). Ndaj edhe pas 9 Nëntorit lidershipi nuk duhet të ndryshojë!

3-Me një kandidaturë jo nga radhët e PD, por nga shoqëria civile e propozuar nga ndonjë nga partitë e reja, defakto Partia Demokratike e humbet edhe trofeun e partisë kryesore në Opozitë. Parti kryesore e opozitës bëhet ajo që propozon kandidatin.

4-Nëse unë gaboj me tri të parat, atëherë ka diçka edhe më pesimiste: Partia Demokratike që dikur ishte frymëzim dhe me resurse njerëzore të pashterëshme tashmë nuk gjen dot një kandidaturë serioze nga radhët e veta që të mos dalë me një rezultat qesharak.

Në Partinë Demokratike, drejtuesit duhet të ishin në siklet se kë të zgjedhnin mes emrave nga radhët e veta dhe jo të shpallin thirrje publike ofrojme vend pune kandidat për Bashkinë e Tiranës.

Për të mos ardhur kjo gjende kam folur dhe flas çdo ditë. Por ajo parti e ka humbur kontaktin me anëtarët, me qytetarët dhe me realitetin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT