Forcat speciale RENEA shoqërojnë dosjet drejt SPAK

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka kërkuar ndihmën dhe asistencën e forcave speciale RENEA për të realizuar transportimin e dosjeve nga godina e ish-Krimeve të Rënda drejt prokurorive në rrethe.
Një burim pranë Policisë se për këtë shkak edhe gjatë ditës së Krishtlindjeve, forcat speciale kanë qëndruar në detyrë dhe në dispozicion të SPAK.
Disa nga efektivët e RENEA-s që prej të hënës po shoqërojnë me makina të blinduara dosjet dhe fashikujt, të cilat po dorëzohen në prokuroritë e Vlorës, Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës, që janë prokuroritë që kanë edhe fluksin më të madh.
Dosjet që do transportohen
Prokuroria e SPAK llogaritet të mbajë gati 160 procedime penale, ndërkohë që të gjitha çështjet e vrasjeve në familje, gjobëvëniet dhe kultivimi i drogës po përcillen në rrethe.
Gjatë javës ish-prokurorët e Krimeve të Rënda kanë dorëzuar në protokoll çështjet me moskompetencë hetimi në SPAK.
Gati 500 hetime pasurore duhet të përcillen në prokuroritë e zakonshme
Por, me makina të blinduara duhet të shoqërohen vetëm fashikujt që kanë volum dhe përgjime apo veprime hetimore nën zhvillim. Disa dosje sipas burimeve, do të përcillen me postë sekrete.
“Bëhet fjalë për dosje sensitive dhe që nisin nga çështjet e zgjedhjeve deri te trafiku me klandestinët drejt USA, të cilat nëse i merr një prokuror tjetër do duhej mjaft kohë, derisa ai njihej me aktet”,shton një nga anëtarët e KLP-së.