DETAJE të reja nga ekzekutimi në Lezhë! Çifti Mujeci u ndoq “këmba këmbës” nga autorët edhe në lokal, por u trembën nga makina e policisë, Adriano Mhillaj i shpallur në KËRKIM që prej janarit

Të dielën Lezha u trondit nga ekzekutimi i Kreshnik dhe Gatjana Mujecit, ndërkohë dita ditës zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë.

Prej këqyrjes së kamerave të sigurisë vërehet se viktimat, janë ndjekur që prej momentit të daljes së tyre nga banesa në zonën e Torovicës, përgjatë udhëtimit drejt Lezhës dhe gjatë momentit kur kanë konsumuar kafe në një lokal në dalje të qytetit.

Më tej, shihet se dy automjetet e përdorura prej tre autorëve tashmë të identifikuar Adriano Mhillaj ,Renato Mhillaj dhe Florin Mhillaj, “Audi A4” dhe “Golf 5”, pa targa, ashtu si edhe dihet tashmë kishin  ndaluar në anë të rrugës pranë lokalit ku po qëndronin Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.

Por më pas aty ka kaluar një makinë policie, e cila i ka trembur, duke sjellë që makina pa targa të lëvizte drejt zonës së Balldrenit, në të cilën ndodheshin dy prej autorëve, dhe ka qëndruar aty, kurse “Audi” ka vijuar monitorimin e çiftit kur kanë dalë nga lokali dhe deri në momentin kur janë ekzekutuar.

Mësohet se, këto pamje sigurie kanë qenë ato që kanë ndihmuar hetuesit edhe në identifikimin e autorëve.

Adriano Mhillaj, i shpalluir më parë në kërkim

Teksa  Adriano Mhillaj, rezulton të ketë qenë në kërkim që prej janarit të këtij viti nga Policia e Shkodrës, për veprat penale kanosje me armë” dhe “armëmbajtje pa leje”, pasi ka kërcënuar me armë Eduard Kësallën. Ky i fundit, bazuar te të dhënat e hetimeve është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri dhe më pas edhe ai është shpallur në kërkim por për veprën penale “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai ra në pranga rreth tre javë më parë në zonën e Freskut në kryeqytet.

Si rrjedhojë Adriano Mhillaj, vijon të jetë në kërkim si për këtë ngjarje, si edhe për vrasjën e Kreshik dhe Gentjana Mujecit.

Dyshohet se “Audi A4”, i përdorur për kryerjen e ekzekutimit në Lezhë, është i njëjti i përdorur  edhe në përplasjen me armë të ndodhur më 16 janar 2026 mes Mhillajt dhe Kësallës.

Vrasja për gjakmarrje

Kujtojmë se Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, u ekzekutuan me breshëri plumbash pasditen e së dielës në rrugën Balldren-Torovicë. Adriano Mhillaj 22 vjeç, Renato Mhillaj 23 vjeç dhe Florin Mhillaj 36 vjeç janë tre personat e identifikuar nga policia si të dyshuar për vrasjen e tyre.

Nga verifikimet paraprake, mësohet se Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt, ndërsa Adriano dhe Florini janë dy nipat e tij. Kujtojmë se Genc Mhillaj, u vra në vitin 2016, teksa autorë të akuzuar për këtë janë Kreshnik Mujeci dhe vëllezërit e tij Jozef dhe Lin Mujeci.

Pista kryesore e ngritur nga policia është ajo e vrasjes për hakmarrje, ku me sa duket Renato dhe kushërinjtë kanë pasur qëllim të marrin gjakun e Genc Mhillajt.

Kujtojmë se Mujeci bashkë me vëllezërit e tij Lin dhe Jozef Mujeci, akuzohen se vranë në 6 tetor të vitit 2016 Gegë Mëhillin (i njohur edhe si Genc Mhillaj apo Gent Pjetri).

Lin dhe Kreshnik Mujeci kanë rënë në pranga pas një viti kërkimesh në 2017-ën,( kurse i vëllai i tyre u arrestua një ditë pas ngjarjes), kur policia e Lezhës dhe Shkodër, me mbështetjen e forcave FNSH, ndërhyri në banesën e tij dhe të vëllait, duke i arrestuar në Torovicë.

Vrasja ndodhi në fshatin Mali i Jushit në Shkodër. Sipas policisë, vëllezërit i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin viktima transportonte miell. Pasi ai tentoi të largohej në këmbë nëpër fusha, u qëllua për vdekje në vend.

Shkak për krimin e rëndë asokohe raportohet të ketë qenë një konflikt i ndodhur mes tyre një ditë më parë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT