Urdhri që nuk mbron dot gratë nga dhuna e burrave
Nga Edison Balla

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen tejet shqetësues dhe që dita-ditës po përshkallëzohet akoma më shumë. Arsyet e rritjes së këtij fenomeni janë lidhur në të shumtën e rasteve me aspektin ekonomik, ndaj edhe trajtimi i tij është parë i vështirë e kompleks jo vetëm për tu parandaluar por edhe për tu trajtuar siç duhet.
Në këtë artikull ne në fakt do të mundohemi që të analizojmë një tjetër anë të përshkallëzimit të këtij fenomeni, që në fakt përtej edhe rritjes në shifra të rasteve ka sjellë më shumë se kaq shtimin e viktimave që kanë humbur jetën. Viktima të cilat duhet thënë që janë zakonisht femra.
Pra pasoja e dhunës së shtuar në familje që ka sjellë me dhjetëra jetë femrash të humbura, lidhet në mënyrë direkte siç jo në pak raste me problemet që ka kuadri jonë ligjor në këtë fushë, dhe me çështjet që nuk i trajton dot.
Shqipëria ka tashmë një ligj për parandalimin e dhunës në familje. Pra bëhet fjalë për Ligjin nr 9669, datë 18.12.2006 “Për Masa Ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”.
Ky ligj është ndryshuar disa herë deri më tani, por që sërish duke parë situatën reale që në kronikat televizive shfaqen thuajse përditë lajme për vrasjen e grave nga bashkëshortët e tyre, nuk ja ka dalë dot që të arrijë qëllimin për të cilin është miratuar, pra parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje e nga ana tjetër edhe garantimin e mbrojtjes me masa ligjore.
Konkludimi se ky ligj nuk ja ka dalë dot që të përmbushë qëllimin e tij nuk është teorik, por më shumë se kaq praktik e ligjor. Konrektisht ky ligj parashikon marrjen e një sërë masash për parandalimin e dhunës në familje, por që po t’i analizosh të gjitha këto masa mbeten thjeshtë në rrafsh formal dhe nuk janë efektive e të zbatueshme.
Kjo sepse së pari viktimave që bien pre e dhunës në familje u kërkohet që të përfaqësohen nga një avokat që në momentin kur depozitojnë kërkesë-padinë për kërkimin e urdhërit të mbrojtjes. Pra si mund të pretendohet që të marrë një avokat viktima e dhunës në familje që thuajse në gjitha rastet vijnë nga familje të varfëra. Së dyti, urdhëri i mbrojtes së lëshuar nga gjykata nuk i garanton dot një shtëpi në vete palës së dhunuar, ose palës paditëse.
Pra nuk e ndan dot dhunesin nga e dhunuara. Së treti, ky ligj nuk i garanton dot ndihmë ekonomike për të përballuar jetesën viktimës së dhunës, pasi në të shumtën e rasteve dhunesit mund të jenë të papunë dhe kështu është e vështirë që shteti t’u marrë atyre pjesën e caktuar ekonomike për tia kaluar palës së dhunuar.
Gjithashtu ky ligj ka përcaktuar edhe detyrat e insitucioneve të tjera, kryesisht atyre vendore që të vënë në shërbim banesa sociale për viktimat e dhunës, ndërkohë që pjesa më e madhe e bashkive të vogla të vendit nuk kanë asnjë banesë sociale për viktimat e dhunës në familje.
Po ashtu ligji parashikon edhe detyrimin e insitucioneve të policisë në rrethe për të pasur punonjës të posaçëm për trajtimin e dhunës në familje, ndërkohë që në shumë raporte del se komisariatet nuk kanë as psikolog e jo më profesionistë të tjerë.
Pra Urdhëri i Mbrojtjes ka rezultuar sot fatkeqësisht një akt që nuk e parandalon dot dhunën në familje, dhe që nuk e kursen dot vrasjen e grave nga “burrat” e tyre.