Sejko: Do blejmë euro, nuk do të lejojmë mbiçmim të shpejtë të lekut
Presionet për mbiçmimin e lekut ngelen të larta dhe Banka e Shqipërisë çmon se ndërhyrja në tregun valutor duhet të vazhdojë.
Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Gent Sejko, tha të mërkurën se një forcim i shpejtë i lekut do të dëmtonte kthimin e inflacionit në objektiv.
Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë do vazhdojë të blejë euro për të mbajtur të normalizuar tregun.
Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mërkurën të ruajë të njëjtin kurs të politikës monetare, duke e mbajtur normën bazë në minimumin historik prej 1% dhe duke vazhduar programin e blerjes së valutës.
Ndërsa kreditimi i ekonomisë nuk po rritet, Banka e Shqipërisë konstatoi sërish se standardet e kreditimit të bankave ngelen konservatore.
Guvernatori Sejko tha se rënia e kredive me probleme duhet të reflektohet në politika më aktive kreditimi nga sektori bankar.
Banka e Shqipërisë vlerësoi se rritja e lartë ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti dhe rënia e papunësisë në nivelet më të ulëta historike dëshmojnë një shfrytëzim gjithnjë e më të mirë të kapaciteteve prodhuese në ekonomi.
Banka qendrore pret që inflacioni të kthehet pranë objektivit 3% në vitin 2020, ndërsa rritja e normave të interesit nuk do të fillojë para mesit të vitit të ardhshëm./ZgjohuShqiptar.info