“‘Kudos’ për zgjedhjen Kryeministër!” Ish-bashkëpunëtori publikon një foto “casual” të ministrit të ri të Mbrojtjes: Nuk është futur si produkt partiak, por për përvojën si jurist

‘“Kudos” për zgjedhjen!’, kështu e ka nisur reagimin e tij Erlis Hereni, ish-bashkëpunëtori i hershëm i Ermal Nufit, i cili me “bekimin” e kryeministrit Edi Rama iu besua një nga ministritë më të rëndësishme të vendit, ajo e Mbrojtjes.

E në një kohë kur polemikat “vlojnë” nëpër rrjet, ashtu sikurse ndodh gjithmonë në Shqipërinë tonë të vogël, por me “shumë fjalë”, Hereni ka nxjerrë në pah profesionalizmin dhe përkushtimin e Nufit, duke theksuar eksperiencën e tij ligjore dhe aftësinë për të menaxhuar reforma dhe modernizimin në mbrojtjen kombëtare.

“Emërimi i Ermal Nufit si Ministër i Mbrojtjes ka shkaktuar jo pak polemikë në terrenin tonë të trazuar politik. Ca nga padija, ca nga paragjykimi i zakonshëm, ca nga mosbesimi kronik, ndonjë edhe nga smira krahinore në një Shqipëri sa një grusht… e karvani vazhdon.

Personalisht, e konsideroj një vendim të mençur të Kryemimistrit dhe një lajm të mirë për vijimin serioz të reformimit gradual të sektorit të mbrojtjes, nga ideimi deri në përmbyllje. Kjo, pa zbehur vlerësimin për pararendësin Vëngu”, shkruan ai, teksa thekson ndër reshta se Nufi nuk ka hyrë si produkt i marrëdhënieve partiake, por si rezultat i përvojës së tij të gjatë në fushën juridike dhe menaxhimin e infrastrukturës dhe projekteve prodhuese.

Për të uruar Nufin në këtë pozicion të ri dhe për të “duartrokitur” zgjedhjen që kryeministri Rama bëri, Hereni ka përzgjedhur një foto të ministrit të ri, jo me kostumet klasike e kravatën e politikanëve, por të veshur “casual” dhe në krye të punës.

“Kudos” për zgjedhjen, z. Kryeministër. Punë të mbarë dhe me faqe të bardhë, Ermal”, e përmbyll ai postimin e tij.

Ermal Nufi

Avokati Ermal Nufi u zgjodh nga kryeministri Edi Rama për të qenë Ministër i ri i Mbrojtjes së Shqipërisë, duke zëvendësuar në këtë post pas 19 muajsh ministrin Pirro Vengu. Ai është me origjinë nga Kukësi dhe djali i mjekut të mirënjohur në veri, Nark Nufi.

Ai më herët mbante pozicionin e Zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, duke ndihmuar e zëvendësuar Engjëll Agaçin, i cili gjithashtu pak ditë më parë u raportua papritur se ishte tërhequr nga detyra si Sekretar i Këshillit të Ministrave, pas 12 vitesh.

Gjithashtu, prej vitit 2021, Ermal Nufi ka mbajtur pozicionin e këshilltarit ligjor të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, pranë Belinda Ballukut, si dhe ka shërbyer në pozicione të ndryshme brenda administratës publike shqiptare.

Postimi i plotë:

 “Kudos” për zgjedhjen!

Emërimi i Ermal Nufit si Ministër i Mbrojtjes ka shkaktuar jo pak polemikë në terrenin tonë të trazuar politik. Ca nga padija, ca nga paragjykimi i zakonshëm, ca nga mosbesimi kronik, ndonjë edhe nga smira krahinore në një Shqipëri sa një grusht… e karvani vazhdon.

Personalisht, e konsideroj një vendim të mençur të Kryemimistrit dhe një lajm të mirë për vijimin serioz të reformimit gradual të sektorit të mbrojtjes, nga ideimi deri në përmbyllje. Kjo, pa zbehur vlerësimin për pararendësin Vëngu.

Ermali nuk hyri në Ministrinë e Infrastrukturës apo në Kryeministri si produkt partiak, siç e ka dashur shpesh zakoni ynë politik. Ai u ftua për shkak të përvojës së tij si jurist në sektorin infrastrukturor dhe prodhues. Më pas, puna në reformimin e kuadrit ligjor dhe koordinimi në nivelet më të larta institucionale i ndërtuan një profil të plotë: profesional, korrekt në zbatimin e ligjit dhe me integritet publik.

Sot, mbrojtja nuk është më thjesht çështje uniformash apo asetesh të ndryshkura a të vjetëruara. Shqipëria është pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe aspiron familjen evropiane. Mbrojtja do të thotë modernizim, menaxhim buxheti, prokurime strategjike dhe bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, veçanërisht me parnerët strategjikë. Pikërisht këtu, Ermali është në terrenin e vet: disiplinë administrative dhe vizion afatgjatë.

Nëse kjo qasje përkthehet në reforma dhe modernizim konkret, veçanërisht të industrisë ushtarake, ai ka çdo mundësi të bëhet një nga figurat më të besueshme jo vetëm të qeverisjes aktuale, por edhe të Partnerëve Strategjikë … e më kryesorja, Publikut!

Natyrisht, as Ermali nuk do i shpëtojë dot plotësisht opinionit “fast-food”, apo lirisë pa porta në socialin virtual shqiptar. E rëndësishme është që fokusi ‘ushtarak’ që e karaterizon të jetë gjithmonë në vijën thep-shtjegëz.

Dhe nëse mes përgjegjësive shtetërore vijon të gjejë kohë edhe për përkushtimin shpirtëror e komunitetin e tij fetar, kjo është vetëm një vlerë më shumë. Në një kohë kur politikanët shpesh akuzohen si “pa din e pa iman”, shembujt e integritetit personal janë lajm shumë i mirë për shoqërinë.

“Kudos” për zgjedhjen, z. Kryeministër.

Punë të mbarë dhe me faqe të bardhë, Ermal!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT