SKANDAL/Ambasadori grek kërkon bllokimin e Rezolutës për Çamërinë
Skandal diplomatik në Ministrinë e Jashtme
Ambasadori grek i kërkon Panaritit bllokimin e Rezolutës për Çamërinë
Pala greke i kërkoi zyrtarisht Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që
të mos votohet në Parlament Rezoluta për Çështjen Çame! Kjo deklaratë
erdhi mbrëmjen e së dielës, më 20 janar 2013, nga vetë ministri Panariti
në televizionin “ABC news”, në intervistën dhënë gazetares Sonila Meço.
Zoti Panariti u shpreh se “Ambasadori grek në Tiranë, Leonidas Rokanas,
gjatë takimit të datës 17 janar në Ministrinë e Jashtme, midis të
tjerash ka kërkuar të mos votohet në Parlament Rezoluta për Çështjen
Çame”. Kjo është një nga ndërhyrjet më flagrante në punët e brendshme të
Shtetit dhe qeverisë shqiptare, një rast tjetër i paprecedentë në
marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve. Ende nuk është zbardhur për
opinionin publik se cili ishte reagimi i ministrit Panariti pas kësaj
kërkese, që duhet të trondisë jo vetëm opinionin shqiptar, por edhe atë
ndërkombëtar.
Refuzimi i projekt-Rezolutës
Ambasada greke në Tiranë e refuzoi pak ditë më parë draft-Rezolutën e
depozituar në Kuvend nga dy deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe
Dashamir Tahiri. Rezoluta, së bashku me relacionin shpjegues, iu është
dërguar në mënyrë zyrtare çdo ambasade të vendeve të Bashkimit Evropian
dhe SHBA-ve. “Të gjitha ambasadat e kanë marrë këtë Rezolutë, përveç
njërës, ambasadës greke në Tiranë, e cila ka refuzuar të marrë, qoftë
edhe letrën e projekt-Rezolutës”, -u tha në një deklaratë për mediat nga
PDIU-ja. Sipas kësaj partie, refuzimi i marrjes së korrespondencës nga
ambasada për Rezolutën e dorëzuar nga postierët e Postës Shqiptare nuk
është arsyetuar.
Deklarata e censuruar e MPJ-së
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme pas takimit Panariti-
Rokanas nuk thuhej asgjë për këtë kërkesë absurde. Deklarata bënte të
ditur se ministri i kërkoi Greqisë të heqë Ligjin e Luftës me Shqipërinë
dhe se diplomati grek ka premtuar se do t`ua përcjellë kërkesën e palës
shqiptare autoriteteve në Athinë. Gjithashtu, thuhej në deklaratë, në
takim u theksua edhe domosdoshmëria për të avancuar marrëdhëniet mes dy
vendeve si dhe për të zgjidhur çështjet konkrete, në interes të
qytetarëve. Panariti kërkoi të zgjatet moratoriumi për vazhdimin e
praktikës aktuale për lëvizjen e qytetarëve në pikat kufitare . Në takim
u ra
dakord që çështja e delimitimit detar të zgjidhet sipas ligjit
ndërkombëtar dhe kushtetutave të dy vendeve si dhe për të zhvilluar një
takim në formatin ndërministror. “Kemi vullnetin për të nisur negociatat
për një marrëveshje të re për delimitimin detar”, – ka theksuar
Panariti. Ndërsa ambasadori grek paska ritheksuar edhe njëherë
mbështetjen e Greqisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Idrizi: Rezoluta për Çështjen Çame, betejë e kombit shqiptar
Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi është shprehur se Rezoluta e
dorëzuar në Kuvend për zgjidhjen e Çështjes Çame nuk është betejë e një
komuniteti, por betejë për dinjitet dhe barazi e mbarë kombit shqiptar,
si dokumenti më programatik i kombit shqiptar përballë Greqisë vitet e
fundit. Përmes një letre drejtuar mediave, deputeti Idrizi ka kërkuar
një trajtim ndryshe të Rezolutës “Kjo Rezolutë nuk mund të shihet në
mënyrë indiferente nga shoqëria dhe media shqiptare. Kjo është arsyeja
pse me Rezolutën janë rreshtuar intelektualë dhe burra të shquar të
këtij vendi dhe kombi, si dhe shumë shoqata brenda dhe jashtë vendit.
Zv/ministri i Jashtëm: Greqia s’ka asnjë Çështje Çame
Duke iu referuar Çështjes Çame, zv/ministri i Jashtëm grek, Ciaras, u
shpreh gjatë një interpelance në Parlamentin grek, të kërkuar nga
deputeti i Agimit të Artë, Kostas Papas se “Greqia nuk ka asnjë problem
çam, Greqia është shtet i ligjit dhe i së drejtës ku mund të drejtohet
çdo person që ka probleme pronësore”. Përfaqësuesi i diplomacisë greke,
si gjithë zyrtarët e lartë grekë, “harron” faktin që mes dy vendeve
qëndron ogurzi Ligji i Luftës, i cili nuk lejon askënd nga pronarët
shqiptaro-çamë që t’i drejtohen gjykatave greke. Qëndrimet ekstremiste,
sipas zyrtarit të lartë të Athinës, vijnë nga politika qendrore e
Tiranës, duke akuzuar drejtpërsëdrejti kryeministrin Berisha për
ekstremizëm nacionalist.
Ndërkaq, deputeti i Agimit të Artë, Kristos Papas foli në Parlament
lidhur me kërcënimet, që sipas tij i vijnë Greqisë, nga Çështja Çame dhe
ajo e zonave ekonomike ekskluzive mes Greqisë dhe Shqipërisë. Deputeti i
Agimit të Artë, i drejtoi pyetje Ministrisë së Jashtme për qëndrimin që
ajo mban lidhur me sfidat e reja të qeverisë shqiptare, e cila sipas
deputetit, vepron si një zëdhënëse e Ankarasë, kur deklaron se “do
reagojmë në mënyrë aktive, nëse Greqia aplikon në mënyrë të njëanshme në
OKB hartën e kufijve detarë”, si për deklaratat mbi “Çështjen Çame”.
Deputeti neonazist sulmoi edhe ambasadorin e ri grek në Tiranë, që gjatë
një prezantimi njohës në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe të
Mbrojtjes në fund të vitit 2012, në një moment të fjalimit të tij foli
për Arvanitasit, gjë që sipas deputetit, është “tradhti kombëtare”. Ai
vërejti se për Ministrinë e Jashtme greke termi “Vorio-Epir” është i
ndaluar, por se Agimi i Artë nuk do ta braktisë kurrë Epirin e Veriut
dhe nuk do të ndalet kurrë së luftuari për lirinë e tij.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.