Çfarë është reciprociteti i Albin Kurtit në raport me Serbinë

Njohësit e çështjeve juridike ndërkombëtare në kosovë vlerësojnë se në rast se vendi aplikon masa të reciprocitetit ndaj Serbisë, ato nuk janë në kundërshtim me parimet, të cilat janë të pranuara nga e drejta ndërkombëtare. Sipas tyre, reciprociteti, në të drejtën ndërkombëtare, konsiderohet si një parim i pranuar në mënyrë universale, ku një shtet miraton një sjellje të caktuar simetrike, si përgjigje ndaj një veprimit të ngjashëm, i cili është miratuar nga shteti tjetër.
Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Koha Ditore se përkufizimi më i specializuar i reciprocitetit në kuptimin e të drejtës ndërkombëtare, nënkupton që një shtet i caktuar i bën koncesion të ndërsjellë epërsive dhe privilegjeve për qëllime të marrëdhënieve tregtare dhe diplomatike shtetit tjetër të caktuar. Por, ky parim i reciprocitetit, sipas tij, vlen edhe në kuptimin negativ”.
Për ta shpjeguar në terma praktikë, kjo nënkupton që nëse Serbia, nuk i lejon shtetasit e Kosovës që të hyjnë brenda territorit të saj me targa që janë regjistruar në Republikën e Kosovës, atëherë edhe Kosova i përgjigjet me të njëjtën monedhë, pra, nuk i lejon makinat me targa të regjistruara në Serbi të hyjnë në tokën e saj”, tha Qorolli. Ai shtoi se ky raport simetrik vlen edhe në kuptimin ekonomik, në atë doganor dhe në të gjitha fushat tjera.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, ka deklaruar se Kosova nuk mund të aplikojë masa reciprociteti ndaj Serbisë, për shkak se kjo e fundit nuk e njeh atë si shtet. Megjithatë, ai vazhdon të kërkojë heqjen e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë, si kusht për vazhdimin e dialogut me Kosovën.
Profesor Qorolli, vlerëson se heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, mund të rezultojë pozitivisht për të dyja vendet. “Zëvendësimi i taksës me një masë reciprociteti mund të jetë një rrethanë që mund ta avanconte raportin, të themi, në rrafshin tregtar, diplomatik, ekonomik, por edhe në atë ligjor mes dy shteteve, të cilat në momentin kur e nënshkruajnë marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, që lidhet me arritjen e një paqeje përfundimtare, atëherë reciprociteti do të ishte një faktor kontribues për inkurajimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale në mes Kosovës dhe Serbisë”, shprehet ai.