“Ahmet Zogu, më mirë rob se dezertor”

Nga Skender Minxhozi

Pëllumb Xhufi ka shumë punë sot me shtypin shqiptar. Historiani e politikani i njohur merr thuajse çdo ditë kërkesa nga gazetat dhe televizionet, për të komentuar ngjarje historike apo debate të caktuara rreth tyre. Dhe 100 vjetori i Pavarësisë e ka nxitur në maksimum diskutimin rreth figurave, ngjarjeve e zhvillimeve historike të së shkuarës. Në këtë intervistë Xhufi replikon me ish-kryeministrin Majko, analizon rolin dhe vendin e Zogut në historinë e shekullit të shkuar dhe komenton procesin e rishikimit të historisë dhe përgatitjet për përvjetorin e Pavarësisë

Zoti Xhufi, si e konsideroni daljen më të fundit publike të politikanit të lartë socialist Pandeli Majko, në mbrojtje të Ahmet Zogut. A është e saktë të futet edhe ky qëndrim në procesin e rivlerësimit të historisë që po debatohet me forcë këto kohë, apo është një lajthitje e momentit?
Sigurisht , deklaratat e zotit Majko nuk janë ato të një njeriu të informuar, megjithatë nuk mund të  trajtohen si një “lajthitje”, dhe si të tilla të arkivohen. Pandeli Majko është një personazh publik, një përfaqësues në zë i së majtës, ish-kryeministër, dhe në këtë kuptim fjalët e tij rëndojnë.  Mesa di, zoti Majko nuk u është përgjegjur deri më tani grishjeve të zotit Berisha, për t’u përfshirë edhe ai në aksionin e ‘rishkrimit” të historisë. Nuk e ka bërë këtë as kur Kryeministri ka vjellur vrer ndaj figurave madhore të historisë sonë kombëtare dhe të së majtës historike, si Fan Noli, Qemal Stafa etj. 
Por ja, papritur, ai futet në debatin e provokuar nga Berisha, mbi rolin e mbretit Zog, duke magjepsur këtë të fundit e duke shushatur gjithë të tjerët. Nëse zoti Majko, pas kryeministrit, paska zbuluar një vokacion zogist, do kishte qenë më e udhës të ishte shprehur për disa merita përgjithësisht të njohura e të pranuara të Zogut, siç ishte roli për konsolidimin e shkollës kombëtare, për krijimin e një administrate të rregullt, për vendosjen e rendit pas vitesh anarkie (autor i së cilës ishte shpesh vetë Zogu), e përshtatjes së një legjislacioni të përparuar (paçka se ligjin, në fund të fundit, e bënte Lalë Krosi). 
Pra, me rezervat e duhura, arritje të tilla lidhen padyshim me regjimin e mbretit Zog. Problemi është se zoti Majko ka vendosur t’i befasojë të gjithë, madje  edhe vetë zotin Berisha, duke zbuluar virtytin pikërisht aty ku ndodhet  vetëm vesi: merr në mbrojtje (edhe në veshjen e juristit!) aktin më të turpshëm e burracak të Ahmet Zogut, atë të ikjes së tij nga Shqipëria në 7 prill 1939, pasi kishte çarmatosur e demotivuar ushtrinë dhe popullin e vet dhe pasi kishte plaçkitur edhe florinjtë e arkës së shtetit.  Zoti Majko, me sigurinë e zakonshme, arsyeton se ikja e Zogut ishte i vetmi akt juridik, që do mund të vërtetonte se Shqipëria ishte vend i pushtuar! Çudi, e para herë që dëgjoj që “ikja” qenka një akt juridik i domosdoshëm dhe i pazvendesueshëm për të “çertifikuar” pushtimin! Në këtë llogjikë, Zogu do ishte treguar më i mençëm, në rast se s’do kishte ikur, por do i kishte pritur italianët në Pallatin Mbretëror e do nënshkruante me ta “aktin juridik” të pushtimit, njëlloj sikurse nënshkroi aktin e martesës, nën “çertifikimin” sovran të Kontit Ciano. Në fund të fundit, s’kishte pse t’ua linte këtë nder “armiqve” të tij, Shefqet Verlacit e Mustafa Krujës me shokë. Sigurisht, do trajtohej si rob lufte. Por si ish-ministër i mbrojtjes, zoti Majko duhet ta dijë që në kohë lufte vlerësohet shumë më tepër luftëtari që bie rob, sesa luftëtari që dezerton. Më tej, njëlloj si zoti Berisha kur shan të gjithë Toptanët për të shpëtuar Esadin e tij, edhe z. Majko i shan nga pak të gjithë mbretërit e Evropës, për të shpëtuar Zogun e tij. Në fund të fundit, thotë ai, të gjithë mbretërit e Evropës “ia mbathën”. 
Jo, zoti Majko! Mbretërit, princët dhe kontët e vërtetë të Evropës, kanë qenë në ballë të ushtrive e të popujve të tyre, sa në Luftën e Dytë Botërore, aq edhe në Luftën e Parë e në të gjitha luftrat. Kështu ua donte ndera dhe sëra. Nuk di të rrëfej ndonjë “bëmë” të jashtzakonshme të mbretërve të Evropës. Por, kam mësuar diçka për mbretëreshën e Hollandës, Vilhelminën, nga ditari i mbretit të Anglisë, Xhorxhi VI. Ky rrëfen se çdo natë, gjatë operacionit nazist për pushtimin e Hollandës, kjo zonjë i prishte gjumin për t’i kërkuar armë, avionë e ushtarë, e bindur se populli i saj do ta mposhtte agresorin. Nuk pranoi të largohej nga Hollanda, deshi të flijohej bashkë me ushtarët e fundit të saj, dhe do ishte flijuar vërtet, sikur një komando angleze mos ta kishte evakuuar gati me dhunë në Angli. Ç’të them tjetër, z. Majko më detyron të flas mirë edhe për “armiqtë tanë historikë”! Mbreti i Jugosllavisë, Pjetri, ishte vetëm 17 vjeç, kur hodhi poshtë diktatin e Hitlerit dhe pranoi plot dinjitet sfidën e një lufte të pabarabartë e të pashpresë, që i kushtoi popujve të Jugosllavisë viktima e shkatërrime të pafundme. Luftë e kotë? Mund të jetë e tillë nga këndvështrimi “kolaboracionist” i historisë, apo nga botëkuptimi i atij personazhi të Gjergj Fishtës sonë, i cili pasi mbaroi lufta mburrej se i kishte bërë gjëmën pushtuesve të huaj, “duke ua shitur kokrrën e petullës për 10 groshë”! Por gjesti i atij mbreti ende të mitur motivoi luftën e popullit të vet, dha një provë dinjiteti e morali, që i shërbeu Jugosllavisë sa fitimi i 10 luftrave ballkanike. 
Ç’të them për sjelljen gjatë luftës së dytë botërore të mbretërve, princërve e drejtuesve të Anglisë, Belgjikës, të vetë Greqisë: kryeministri i kësaj të fundit, Korizis, e përcolli nga zyra tragjedinë e vendit të tij, dhe në çastin e mbramë, kur ushtari i parë gjerman hyri në Athinë, i dha fund jetës me një të shtënë revolveri. Larg qoftë, nuk dua të them që Zogu duhet të kishte vrarë veten, sado që thellë-thellë ndjej vetëm simpati për gjeste të dëshpëruara, por dinjitoze, si ai i kryeministrit grek. Prej mbretit tonë do kisha pritur, të paktën, t’i mbahej fjalës që kishte dhënë në prag të agresionit fashist: të kishte mbathur opingat e të mbante ndezur ndonjë vatër të vogël rezistence, diku në malet e Shqipërisë, qoftë vetëm një muaj, qoftë vetëm një javë. Nuk ka legjitimim më të mirë për një vend të pushtuar, sesa lufta për çlirim. 
Por Zogu nuk ishte prej atyre që luftonin. Përfaqësonte kulturën ikanake të krerëve tradicionalë shqiptarë, që në vështirësinë më të parë ia mbathnin dhe kërkonin strehim politik sa në Serbi, Mal të Zi apo Greqi, nga ku përdoreshin kundra vendit e popullit të tyre. Të tjerë burra ishin ata që i dolën zot Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore. Por, me sa duket, me ta z. Majko nuk i ka marrëdhëniet të mira. Ndryshe nuk do mund të shpjegohej, se përse ky drejtues i së majtës shqiptare preket keq kur i kritikojnë Ahmet Zogun “ikanak”, dhe nuk bëzan fare kur Kryeministri anatemon të rënët e Luftës, Qemal Stafën, Heronjtë e Vigut, Vojo Kushin me shokë, kur përdhos vetë Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Mesa duket hesht, sepse është duke reflektuar edhe për këtë moment të historisë sonë. Le të presim, me ankth, përfundimet e këtij reflektimi.      
Ka pasur një listë figurash historike për të cilat duket se ka një ofensivë të vërtetë “sponsorizimi” në kuadër të përvjetorit të Pavarësisë. Ahmet Zogu është ndër të parët e kësaj liste. Si e shihni këtë operacion mediatik që ka ndërmarrë qeveria dhe historianë dhe media pranë saj?
Fushata e rishikimit të historisë, e shpërthyer me furi nga vetë Kryeministri Berisha, është një fushatë krejtësisht politike, e dhunshme, konfuze e qesharake njëherësh. Kujtoni vetëm ç’thoshte z. Berisha para 15 vjetësh për Zogun e për Fan Nolin. I pari ishte një  “satrap”, i dyti një vigan i lirisë. Mirëpo sot, zoti Berisha ka ndërruar mendje dhe na mëson se Fan Noli, Hasan Prishtina e Luigj Gurakuqi me shokë, ishin “bashibozukë” dhe “puçistë të poshtër”, që i ranë në qafë të urtit Zog, “demokratit më të madh të Ballkanit” , mirëpo ky reagoi mirë: u kthye (nga? si? me kë? me çfarë?) dhe ua rrëmbeu pushtetin që  e kishte fituar “me zgjedhje të lira e të drejta”.  
Sipas Berishës së kohëve të para të tranzicionit, i ndjeri ish-Presidenti Alia meritonte respekt për të kaluarën e tij si “komandant i njësiteve të mëdha partizane” dhe si një komunist liberal, që “i toleroi”  zhvillimet demokratike.  Por më vonë, zoti Berisha zbuloi se ish-presidenti, që e lançoi në politikë dhe që ia la presidencën paqësisht e butësisht, na qënkesh krimineli më i madh i planetit. Ndaj, i sajoi atij një burgim të parë, dhe në prag të 90-vjetorit i përgatiti edhe një burgim të dytë, nga i cili ish-presidentin e shpëtoi vetëm vdekja. Historia e “vlerësimit” të Ramiz Alisë, gjithsesi nuk mbaron këtu. Sot që ai s’është më dhe nuk mund të thotë ndonjë gjë të pakëndshme për zotin Berisha, ky na zbuloka që zoti Alia paska qenë shpirt njeriu, “sepse në vitin 1991 nuk pranoi të dergojë tanket tek studentët”! Një herë thotë që Lufta Nacional Çlirimtare ishte luftë e lavdishme, pastaj zbulon se ishte “luftë civile” e pastaj-pastaj rizbulon tek ajo faktorin “që i bashkoi shqiptarët me koalicionin antifashist, që e shpëtoi Shqipërinë nga coptimi i mëtejshëm dhe që vuri në rend të ditës çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”!  A ka burrë që ta marrë vesh këtë “interpretim berishian” të historisë? A ka historian, sado vullnetmirë, që ta ndjekë pas Kryeministrin në kuturisjet e tij? 
Ndërkohë, në mes të këtij konfuzioni të qëllimshëm, rrëzohen monumente të vjetër e ngrihen monumente të rinj, grisen tekste të vjetër e shkruhen tekste të rinj, shuhen emra të vjetër e shkruhen emra të rinj. Dhe fëmijët tanë mësojnë se heronjtë shqiptarë të Luftës II Botërore janë individë si Isa Toska,  Preng Previzi, Halil Alia e të tjerë shqiptarë-mercenarë, që e kanë shkrepur pushkën vetëm për të vrarë shqiptarë dhe vetëm kundrejt pagesës. Unë e them vazhdimisht: ajo që do të ushqejë kryeministri dhe shpura e tij laramane, është të gjallërojë instiktet dhe veset më të këqia të shoqërisë shqiptare, një stil e filozofi jetese, që udhëhiqet nga parimi i heshtjes, i “laissez-faire”, i përshtatjes, i bubrrimit, i mercenarizmit e kolaboracionizmit. 
Ky gjak i keq është injektuar tek politika dhe politikanët, dhe po përhapet me shpejtësi në çdo pore të shoqërisë shqiptare. Në një atmosferë të tillë të korruptuar nga politika, në këtë vend kanë kaluar gjëma të pathëna e të padëgjuara: është shitur Shqipëria “me një euro”, janë shitur toka, deti, qielli e madje edhe varret e shqiptarëve, mu ashtu siç kanë bërë Esat Pashë Toptani dhe vetë Ahmet Zogu. Ja përse sot bëhen akoma më të padurueshme e të patolerueshme “lajthitjet” e politikës opozitare, si ato që përmendëm më sipër, ndërkohë që pritet që ajo të luajë rolin e vet si barrikadë e fundit përkundër marrisë së një pushteti të marrë e të korruptuar.
Si vlerësoni përgatitjet e deritanishme për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë? A i bashkoheni edhe ju mendimit se, ashtu si në raste të tjera festash historike, do të kemi edhe kësaj rradhe dy ceremoni: njërën në Tiranë dhe tjetrën në Vlorë?
Për fat të keq, festimet për këtë 100-vjetor unikal paralajmërohen të bëhen në frymën e filozofisë së përçarjes. Festimet do të zhvillohen në dy skenarë të ndryshëm, me pjesmarrje e sigurisht edhe me repertor kundërthënës. Zoti Berisha dhe qeveria kanë paralajmëruar që ky 100 vjetor do të jetë 100-vjetori i Zogut: do ngrihen monumente, do shpiken mauzolera, do hapen ekspozita e do këndohen hymne për atë dhe për “ikanakët” e tjerë të historisë sonë. Hë për hë, për figura si Fan Noli, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Dom Kaçorri, Avni Rustemi e të tjerë, do të heshtet. 
Por nesër edhe atyre do u kthejnë përmbys monumentet dhe varret. Në këto kushte, nuk ka fare rëndësi se çdo të bëhet dhe si do të jenë festimet e paralajmëruara në Vlorë. Ato nuk do të mundin të kompensojnë apo të neutralizojnë mungesat, idhtësinë dhe frymën revanshiste që po i jep kësaj ngjarjeje të madhe qeveria e Tiranës.  
Mjerisht, ajo që do të ndodhë paskëtaj, do të jetë një ndarje e përçarje akoma më e madhe e shqiptarëve mes vedit. Dikush e do, dikush e mbjell, dikush po e nxit me cinizëm e ligësi edhe në këtë përvjetor të papërsëritshëm të historisë së tyre.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”              Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT