Nano: Do ju zhduk të gjithëve nga politika po nuk votuat kundër Çamërisë

Alfred Cako: Nano i tha në telefon Ilir Zelës: Do ju zhduk të gjithëve nga politika po nuk votuat kundër Çamërisë

Shumë njerëz mund të mos e dinë faktin se Alfred Cako, ish deputeti i Ballit Kombëtar, është njeriu që ka formuluar rezolutën për çështjen çame. Dhe në këtë mënyrë, duke qenë njëri nga njerëzit që e ka ndjekur më shumë se sa kushdo tjetër këtë ngjarje, ne iu drejtuam atij, për të zbardhur disa të vërteta nga ngjarjet e vitit 2004. Për atë kohë, kur Fatos Nano pinte shampanjë në kabaretë e Selanikut dhe kur policia helene projektonte operacionin “fshesa” për të rikthyer 800 mijë emigrantë në Shqipëri. Të gjitha këto, si presion për rezolutën çame. Ishte kjo arsyeja që ne iu drejtuam ish deputetit Cako, i cili hodhi dritë të plotë mbi ato zhvillime. Në këtë intervistë, Cako thotë se telefonata e Nanos, i terrorizoi socialistët dhe i detyroi ata që të bënin bojkotin,kundër dëshirës së vet.

Zoti Cako, ju jeni hartuesi i rezolutës së çështjes çame, si e morët këtë iniciativë?
Për hir të së vërtetës dua të them se kjo iniciativë nuk ishte një ekskluzivitet i imi. Por më parë, këtë gjë kishte tentuar ta bënte zoti Sabri Godo, i cili kishte hedhur pikat kryesore, duke argumentuar edhe arsyen se përse duhej kjo rezolutë.

Kur kishte ndodhur kjo?
Kjo ndodhi në sesionin parlamentar, 1997-2002. Por Sabri Godo nuk mundi ta paraqesë atë në formën e një rezolute, në seancat e votimit parlamentare. Ndërsa më vonë, gjatë sesionit parlamentar të vitit 2001 2005, unë e mora në dorë atë material duke hequr disa pika dhe duke shtuar disa të tjera. Por si shembull, mora pikërisht, modelin e Godos. Sigurisht në raelitetin 4-vjeçar disa gjëra kishin ndryshuar dhe duheshin hequr, ndërsa disa të tjera duheshin zëvendësuar, por ne kërkuam që kjo rezolutë të parashtrohej në seancë parlamentare dhe të votohej nga deputetët.

Sa deputetë kishte Balli Kombëtar në atë kohë?
Në atë kohë Balli Kombëtar kishte 3 deputetë të cilët ishin Shpëtim Rroqi, Uran Metko dhe unë. Dhe kjo mjaftonte që projektrezoluta çame të merrte rrugën zyrtare për t’u diskutuar dhe për t’u marrë në konsideratë nga deputetët. Kështu që ne, e çuam deri në Komisionin e Jashtëm parlamentar dhe pastaj deri në votimin e seancës parlamentare. Këtë e bëmë pavarësisht, nga fakti se Komisioni i Jashtëm Parlamentar, nuk e miratoi rezolutën tonë. Mbaj mend se në atë kohë kryetar i këtij komisioni parlamentar ishte deputeti Ilir Zela.

Ilir Zela ishte pro, apo kundër kësaj rezolute?
Për hir të së vërtetës, Ilir Zela ishte pro miratimit të kësaj rezolute. Dhe mund të them se ai ishte optimist për miratimin e saj. Por papritur ndodhi diçka e rëndë që i përmbysi të gjitha. Kjo ishte arsyeja që materiali qëndroi gjatë, në komision pa u shqyrtuar. Dhe pas shumë kohësh u shqyrtua, por u rrëzua.

Çfarë ndodhi?
Fatos Nano i bëri presion të madh në telefon, Ilir Zelës. Atë ditë Nano ishte në Selanik. Dhe ai mori në telefon Zelën duke i dhënë urdhrin e prerë: Të mos votohet rezoluta.

Si u zhvilluan ngjarjet më vonë?
Pas rrëzimit në Komisionin e Jashtëm ai u hodh për votim në seancën parlamentare. Disa deputetë të PS-së, dukeshin optimistë dhe kishin vendosur ta votonin. Por papritur mbërriti përsëri telefonata e Nanos.

Çfarë i tha Nano, në telefonatën e dytë?
Çfarë nuk i tha. Kërcënoi të gjithë ata që do të guxonin të votonin pro rezolutës së çamëve.

Thuhet se Nano i ka fyer rëndë deputetët e vet, duke iu drejtuar Ilir Zelës edhe me sharje nga ”robtë e shtëpisë”. Ju dini gjë?
Për këtë duhet të pyesni Ilir Zelën dhe jo mua. Se ai foli me Nanon. Por ne dimë ato fjalë që qarkullonin në atë kohë dhe që i dinin të gjithë. Midis të tjerave thuhej se Nano i kish thënë Ilir Zelës dhe të tjerëve këto fjalë: “Do ju zhduk nga polituka fare, nëse e votoni atë rezolutë.” Ndërsa njëherë tjetër ai kishte thënë: “Nëse votoni rezolutën për çamët, nesërë do keni në Tiranë, 800 mijë emigrantë shqiptarë që do dëbohen urgjentisht, prej operacionit “fshesa”.

Përse i gjithë ky mllef i Nanos ndaj Ilir Zelës?
Sepse Ilir Zela kishte shfaqur ndjenja solidariti për votimin e rezolutës. Së bashku me Sabit Brokajn, Dritan Priftin e ndonjë tjetër. Unë mund të them se dhe më vonë, një nga arsyet e mbajtjes larg të Ilir Zelës, nga Nano, ishte indulgjenca që ai tregoi ndaj çamëve. Edhe Rama, ka të njëjtën sjellje ndaj Zelës, pikërisht, për këtë gjë. Sepse Ilir Zela është treguar shumë dashamirës ndaj rezolutës. Dhe shpatullat e këtyre liderëve partiakë duket se as nuk mbanin dhe as nuk mbajnë dot pesha kaq të vërteta dhe të rënda. Kjo ishte prova e vërtetë e zjarrit, ku ata u dogjën si figura përfaqësuese të çështjes kombëtare.

Si u zhvillua votimi në Kuvend?
Deputetët socialistë e bojkotuan votimin. Ikën nëpër kafene, ose u fshehën. Po kështu edhe liderët kryesorë të PD-së, Berisha, Topalli e Mustafaj. Por të paktën nga PD-ja një pjesë votuan pro rezolutës, së bashku me ne, që ishim iniciatorë të kësaj rezolute. Së bashku me ne, votuan pro edhe disa deputetë të Partisë Socialiste duke i dalë nga rreshti, Nanos. Midis tyre mbaj mend Brokajn, Priftin e ndonjë tjetër, ndërsa shumica bojkotuan.

A mendoni se Strasburgu dhe Brukseli po e prisnin me padurim një rezolutë të tillë për t’i dhënë rrugëzgjidhje problemit?
Mendoj se “po nuk qau fëmija, nuk i jep nëna të pijë”. Dhe po nuk punuam ne për veten tonë, nuk ka se kush të punojë për ne. Ndërsa, në lidhje me pyetjen tuaj, unë do të them se ishte pikërisht Departamenti Amerikan, i cili ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve. Ishte pikërisht ky Departament që priste miratimin tonë dhe jo Strasburgu. Mendoj se me atë rast ne kemi humbur një shans historik për nxitimin e zgjidhjes së problemit. (zgjohushqiptar.com)

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT