Koronavirusi, Ministria e Shëndetësisë mbledh Task-Forcën: Shqipëria me rrezik të ulët

Ministria e Shëndetësisë mblodhi sot Task-Forcën e ekspertëve për të marrë masa për koronavirusin e ri që po përhapet me shpejtësi në Kinë dhe jashtë saj.

“Me urdhër të posaçëm kam kërkuar të merren masat paraprake për rritjen e survejancës dhe të identifikohet shkalla e rrezikut. Nga raportimi i fundit që kam Shqipëria mbetet një vend me rrezik të ulët sa i takon depërtimit të koronavirusit nga Kina. Kemi gati planet e emergjencës. Masat janë në kordinim me OBSH. Kemi marrë masat përkatëse në aeroportin e Rinasit”, tha Manastirliu.

Më tej gjatë fjalës së saj, ministrja Manastirliu tha se kemi një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore dhe laborator të standartizuar lidhur me vendosjen e diagnozës, po kështu stafe të trajnuara dhe planet e reagimit në spitale në varësi të shkallës së rrezikshmërisë.

Numri i njerëzve të vdekur në Kinë nga koronavirusi ka shkuar në 81, me gati 3,000 raste të konfirmuara të sëmurë.

Pushimi kombëtar i vitit të ri është zgjatur me tre ditë deri të dielën, në përpjekje për të penguar përhapjen.

Të hënën, kryeministri kinez Li Keqiang vizitoi Wuhan, kryeqytetin e provincës Hubei dhe qendrën e shpërthimit.

Numri i vdekjeve në provincën Hubei është ngjitur nga 56 në 76.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT