SPAK nxjerr raportin për vitin 2025: Zyrtarët e lartë nën presion

SPAK ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, ku paraqiten të dhënat mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, si dhe sfidat me të cilat përballet institucioni.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 numri i çështjeve dhe hetimeve të reja për krimin e organizuar rezulton disi më i ulët krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, numri i hetimeve të përfunduara ka shënuar një rritje të lehtë. Konkretisht, janë përfunduar 60 çështje gjatë vitit 2025, kundrejt 58 hetimeve të përmbyllura në vitin 2024, një rritje prej rreth 3.4%.
Ndërkohë, aktiviteti në luftën kundër korrupsionit ka pësuar rritje më të ndjeshme. SPAK raporton një shtim prej 17.7% të hetimeve dhe procedimeve të reja, si dhe një rritje prej 12.2% të çështjeve të përfunduara gjatë vitit të kaluar.
Si rezultat i këtyre hetimeve, prokurorët e posaçëm kanë dërguar në gjykatë 24 procedime penale që përfshijnë 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë. Në të njëjtën kohë, janë dërguar për gjykim edhe 10 procedime që lidhen me korrupsion në nivele të larta, ku të pandehur janë 13 persona.
Raporti thekson se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë kanë vazhduar me intensitet. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 6 procedime të reja që përfshijnë 16 persona nën hetim. Në total, gjatë këtij viti kanë qenë nën hetim 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë. Më shumë se gjysma e tyre, konkretisht 18 persona, janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Sa i përket politikës së masave të sigurimit, SPAK thekson se ajo është zbatuar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Të dhënat tregojnë se të paraburgosurit me kërkesë të SPAK përbëjnë rreth 12% të totalit të personave në paraburgim në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Ndërkohë, personat që vuajnë dënimin me burg si rezultat i hetimeve të SPAK përbëjnë rreth 11% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve.
Përveç rezultateve të hetimeve, raporti vjetor evidenton edhe disa sfida të rëndësishme institucionale që sipas prokurorisë së posaçme kërkojnë ndërhyrje ligjore, madje edhe ndryshime të mundshme në Kushtetutë, për të garantuar funksionimin dhe pavarësinë e institucionit.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, të cilat sipas SPAK mbeten procese komplekse dhe të ekspozuara ndaj presioneve. Institucioni thekson se retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e tij, si dhe mund të rrisë nivelin e kërcënimeve nga krimi i organizuar.
Një tjetër problem i evidentuar është statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit. Mungesa e një përcaktimi të qartë ligjor për këtë çështje, sipas raportit, rrezikon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar edhe në besimin e publikut.
SPAK thekson gjithashtu nevojën për më shumë këshilltarë ligjorë me përvojë, pasi mungesa e tyre ndikon në cilësinë e hetimeve dhe në ndjekjen e çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.
Raporti përmend gjithashtu si sfidë edhe bashkëpunimin me institucionet publike, ku kërkohet intensifikim i koordinimit, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më efikase.
Në listën e problemeve përfshihet edhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemit të menaxhimit të çështjeve, ngritja e një njësie të specializuar analize për hetimet komplekse, si dhe qartësimi i rolit të specialistit ndërlidhës në institucion.
Një tjetër sfidë lidhet me bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht në proceset e ekstradimit dhe ekzekutimit të vendimeve penale të huaja. Sipas raportit, mungesa e kompetencës për njohjen dhe zbatimin e këtyre vendimeve krijon vështirësi në vijimësinë e hetimeve.
Procesi i ekstradimit të shtetasve shqiptarë mbetet gjithashtu i ndërlikuar, edhe pse janë shënuar përmirësime në bashkëpunimin me disa vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe.
“1. Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.
2. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit – Mospërcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
3. Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
4. Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase. 5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.
6. Njësia e analizës – Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.
7. Specialisti Ndërlidhës – Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.
8. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
9. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.
10. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit”, thuhet në raport.