Gjysëm e vërteta e Ilir Metës, për 8 qershorin dhe kërcënimi amerikan për Bashën e Kryemadhin që ndaloi çdo gjë

Ilir Meta ka thënë gjatë fjalës së tij në Komisionin Parlamentar për shkarkimin e presidentit, se ai shmangu dhunën dhe djegien e Kuvendit më 8 qershor, duke ç’dekretuar mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Por, Meta nuk thotë gjithë të vërtetën.
Është e vërtetë që opozita kishte planifikuar akte dhune, por ato u ndaluan jo nga Ilir Meta me vendimin e tij për ç’dekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, por nga SHBA.
Ishte një intervistë e Mattheë Palmer për Top Channel atë ditë, që ndaloi gjithë planet e dhunës së opozitës.
Deklarata e Palmer ishte e ashpër dhe e drejtëpërdrejtë, çka detyroi Lulzim Bashën të tërhiqej nga aktet e dhunës.
“Djegia e mandateve parlamentare, bojkoti i zgjedhjeve, dhuna që kemi parë në protestat e organizuara politikisht janë, në themel, në kundërshtim me praktikat demokraike. Siç e thashë gjatë vizitës sime të fundit në prill, dhe po e përsëris për ju, partitë e opozitës duhet të kërkojnë një shteg drejt dialogut me qeverinë lidhur me reformën zgjedhore.
Duhet të punojnë së bashku me autoritetet për të trajtuar rekomandimet që OSBE/ODIHR nxorën pas zgjedhjeve në vitin 2017 dhe 2015 në Shqipëri. Këto janë një numër çështjesh, përfshi blerjen e votes, kërcënimin e votuesve, si dhe praktika të tjera, të cilat duhet të trajtohen dhe reforma zgjedhore është e vetmja zgjidhje”, tha Palmer.
Në emër të qeverisë amerikane, ai i kujtoi organizatorëve të protesteva se aktet e dhunës konsiderohen krime:
“Më lejoni të jem shumë i qartë: dhuna nuk ka vend në demokraci. Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën Demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Megjithatë, përdorimi i përleshjeve fizike apo mjeteve shpërthyese si mjete proteste është jo vetëm jodemokratik, por është edhe i paligjshëm.
Shënjestrimi me fishekzjarre dhe molotov i oficerëve të policisë dhe ndërtesave publike nuk janë akte paqësore. Ata që përfshihen në aktivitete të tilla të dhunshme kryejnë krim dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.
Iu kemi bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve të opozitës, sidomos kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryetares së LSI Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet e mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me hetimet që synojnë të identifikojnë autorët individualë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të rregullta dhe paqësore.
Dhuna e ushtruar nga protestuesit është në kundërshtim me synimet e deklaruara të partive opozitare për të pasur një demokraci të fortë europiane”.
Nga Ushingtoni, Palmer i dërgoi një paralajmërim të drejtëpërdrejtë kreut të PD Lulzim Basha dhe shefes së LSI Monika Kryemadhi:
“Dua të jem shumë i qartë me zotin Basha, zonjën Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore.
Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik.”
I pyetur për politikanët shqiptarë që mbështesnin dhe promovonin drejtpërdrejt apo tërthorazi dhunën gjatë protestave, a do të kishin pasoja nga Qeveria e SHBA, Palmer tha këtë përgjigje:
“Nxitja e dhunës nga kushdo është një fyerje për popullin shqiptar dhe duhet dënuar nga të gjithë. E kemi bërë të qartë kundërshtinë tonë ndaj dhunës si instrument politik. Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.”(TemA)