Si bëhet procesi i rivlerësimit të banesave pa dokumente pronësie, ja hapat e aplikimit, mënyra e përllogaritjes

Procedura e aplikimit por edhe e pasqyrimit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me normën tatimore 5 % nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë qytetarët. Kompleksiteti i saj lidhet me faktin nëse një pasuri ndodhet në një zonë ku është kryer regjistrimi fillestar i pronave apo jo dhe nëse gëzon apo jo titullin e pronësisë.
Çfarë parashikon udhëzimi?
Kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, figuron e regjistruar në regjistrat kadastralë dhe ndodhet në një zonë që i është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, pasqyrimi i rivlerësimit të pasurisë kryhet në seksionin “A” të kartelës së pasurisë. Në këtë seksion do të regjistrohet data e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shuma e rivlerësimit dhe arkivohet dokumentacioni në referencën përkatëse. Por situata ndryshon ku bëhet fjalë për një pasuri të paluajtshme, objekt rivlerësimi, që ndodhet në një zonë e cila i është nënshtruar regjistrimit fillestar, por që nuk figuron e regjistruar në regjistrin kadastral. Në këtë rast individi fillimisht duhet të aplikojë nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania për regjistrimin e kësaj pasurie, në përputhje me parashikimet e ligjit e vitit 2018, “Për kadastrën”, dhe vendimin e qeverisë të viti 2020, “Për miratimin e listës dhe tarifave të shërbimeve kadastrale”, të ndryshuar, duke depozituar titullin e pronësisë dhe dokumentacionin provues për regjistrim.
Vetëm pas regjistrimit të kësaj pasurie në regjistrin kadastral, subjektit i lind e drejta të aplikojë për rivlerësimin e kësaj pasurie. Nga ana tjetër kur pasuria e paluajtshme, objekt rivlerësimi, gjendet në një zonë kadastrale që nuk i është nënshtruar procesit të regjistrimit fillestar, procedohet me pasqyrimin e vlerës së rivlerësimit në regjistrin përkatës hipotekar apo në kartelat jopërfundimtare,
duke pasqyruar datën e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme, shumën përkatëse të rivlerësimit dhe referencën arkivore përkatëse. Në përfundim të procesit të regjistrimit fillestar, shënimet e mësipërme të rivlerësimit pasqyrohen në kartelat e pasurive të paluajtshme, produkt i këtij procesi, në rastet kur titulli i pronësisë konstatohet se është në përputhje me ligjin. Por në rastet kur refuzohet regjistrimi i titullit të pronësisë, sipas ligjit në fuqi dhe individi nuk bëhet pronar ligjor i saj, vlera e rivlerësimit nuk pasqyrohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme dhe shuma përkatëse nuk i kthehet individit. E thënë ndryshe, në këtë rast individi mund të shpenzojë para për rivlerësimin por mund të mos e përfitojë atë.
Flet eksperti
Ndërkohë bëhet e ditur se n ë 60 bashkitë e Shqipërisë rivlerësimi do të bëhet me ekspertë privatë dhe vlerën e tregut, ndërsa në Tiranë, qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin ta bëjnë me çmime reference përmes ASHK-së apo privatisht. Petrit Malaj, Ministër i Financave: “Procesi i rivlerësimit tashmë është i hapur. Udhëzimi ka dalë dhe është publikuar të hënën në Fletoren Zyrtare. Është një proces që mund të vijojë normalisht si në Tiranë ashtu edhe në pjesën tjetër të vendit. Jemi në diskutim sa i përket çmimeve të reja të referencës për zonat jashtë Tiranës, pasi nga kontrollet e fundit të autoriteteve tatimore në zyrat imobiliare në Tiranë dhe më gjerë janë evidentuar diferenca mes çmimeve të regjistruara pranë ASHK-së dhe atyre që rezultojnë në sistemet e këtyre zyrave”. Por çfarë do të thotë kjo për qytetarët? Ekspertët e pasurive të paluajtshme theksojnë se detyrimi për të bërë rivlerësim përmes një eksperti privat dhe me vlerë tregu në të gjithë territorin përveç Tiranës, do të rrisë ndjeshëm kostot për qytetarët. Elton Çanaj, Ekspert i pasurive te paluajtshme: “Duhet të pasqyrohet edhe në udhëzim.
Kostot e qytetarëve do të rriten sepse nuk është e qartë se me çfarë çmimi do të kryhen aktekspertimet. Një vlerësues privat do ta zgjedhë qytetari. Parashikohet të ketë sërish një ngërç. Vetëm eksperti privat do të kushtojë mesatarisht 25-30 mijë lekë për një raport, por do të ketë edhe kosto më të larta të tatim fitimit.”. Sipas ekspertit, pavarësisht se udhëzimi ke hyrë në fuqi, do të duhen 2-3 muaj që të ndjehen efektet në treg. “Do të duhen 2-3 muaj që të lirohet tregu i shit-blerjeve të pasurive të paluajtshme pasi orientimi që rivlerësimi të bëhet me vlerën e tregut mund të sjellë vonesë. Janë 6-7 mijë kontrata pezull”. Afati i aplikimit për rivlerësimin e pasurive do të jenë të 31 dhjetori 2026.