Shqipëria i bashkohet SHBA: Shpall Gardën Revolucionare të Iranit një organizatë terroriste (VENDIMI)

Shqipëria shumë shpejt do të marrë vendimin për të shpallur Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, IRGC, një organizatë terroriste.
Lajmin e bën të ditur Ministri I Jashtëm Shqiptar Ferit Hoxha gjatë një postimi në rrjetin social X pas bisedës që ka pasur me homologun e tij izraelit Gideon Sa’ar.
“Irani meriton një qeveri nga populli dhe për popullin. Shqipëria së shpejti do të marrë një vendim zyrtar për ta shpallur IRGC, ashtu siç është në të vërtetë: një organizatë terroriste”, thuhet në postimin e Ministrit të Jashtëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur një pjesë të ushtrisë së Iranit që në 2019 si organizatë terroriste. Po ashtu Kanadaja e ka marrë këtë vendim në 2024 ndërsa Australia në 2025. Edhe Bashkimi Evropian këtë vit e shtoi IRGC në listën e organizatave terroriste.
Vendimin, ministri i Jashtëm Shqiptar Ferit Hoxha ia komunikoi edhe të ngarkuarës me punë të ambasadës së SHBA në Tiranë Nancy VanHorn gjatë takimit që patën së bashku dhe që u publikua nga Ministria e Jashtme këtë mëngjes (e premte).
Jo të gjitha vendet e kanë shpallur Gardën Revolucionare Iraniane një organizatë terroriste, por kanë vendosur sanksione ndaj saj apo njësive të saj sic është Quds Force që merret me operacione jashtë Iranit.
“Në këto kohë të vështira dhe sfiduese, Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me popullin izraelit dhe të gjithë ata që janë prekur nga sulmet e kryera nga Irani dhe Hezbollahu. Shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm, dhe ne vlerësojmë kurajon dhe qëndresën e popullit izraelit.
Shqipëria mbështet përpjekjet ndërkombëtare vendimtare për të parandaluar përvetësimin nga regjimi iranian, të armëve bërthamore apo të çdo arme tjetër të shkatërrimit në masë që kërcënon paqen në rajon dhe më gjerë”, shkruan Ferit Hoxha.