Shqipëria humb gjyqin, SHBA: Të sekuestrohen 13 milionë $ asete

Pas humbjes së çështjes tepër të kushtueshme në arbitrazh me biznesmenin italian Francesco Becchetti, ku Shqipëria u detyrua të përballet me një faturë prej rreth 130 milionë eurosh, qeveria e drejtuar nga Edi Rama po përballet me një tjetër vendim financiar të rëndësishëm në një proces ndërkombëtar.
Një gjykatë federale në Uashington ka vendosur në favor të kompanisë Omni Bridgeway, duke i dhënë të drejtën të ndjekë procedurat për konfiskimin e aseteve që i përkasin shtetit shqiptar. Vendimi lidhet me zbatimin e një vendimi arbitrazhi me vlerë rreth 13 milionë dollarë.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, gjyqtari federal në kryeqytetin amerikan ka pranuar kërkesën e kompanisë financuese të çështjeve gjyqësore për të vijuar me procedurat e sekuestrimit të aseteve shtetërore shqiptare, me qëllim zbatimin e vendimit arbitrazhi.
Autoritetet shqiptare nuk e kanë zbatuar për disa vite këtë vendim, ndërsa vendimi i fundit i gjykatës amerikane i hap rrugë ndërmarrjes së hapave konkretë për konfiskimin e pasurive të mundshme të shtetit shqiptar jashtë vendit.
Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në përplasjen ligjore me Francesco Becchetti, kur biznesmeni italian nisi procedurat për sekuestrimin e fondeve shqiptare në organizatën evropiane të kontrollit të trafikut ajror Eurocontrol.
Vendimi fillestar i arbitrazhit për këtë çështje u dha në vitin 2020 nga një tribunal arbitrazhi me seli në Zvicër, duke vendosur detyrimin financiar ndaj shtetit shqiptar.
Në total, kostoja e çështjeve të ndryshme të arbitrazhit që rëndojnë mbi financat e Shqipërisë vlerësohet të kalojë shifrën e 200 milionë dollarëve. Ndërkohë, disa procese të tjera ligjore në arenën ndërkombëtare vijojnë ende dhe nuk kanë përfunduar me një vendim përfundimtar.