Zbulohet baza e basteve të paligjshme në Fushë-Krujë, AMP sekuestron kompjuterë, serverë dhe drogë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka goditur një aktivitet të dyshuar të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive në Fushë-Krujë.

Operacioni u ndërmor mbi bazën e informacioneve të siguruara nga strukturat e Inteligjencës Operative të AMP-së. Gjatë aksionit, u ushtrua kontroll në ambientet e një bar-kafeje në pronësi të shtetasit me iniciale A.S., në zonën e njohur si “Tregu Fshatar”, pranë Fushë-Krujës.

Nga kontrolli i ushtruar, agjentët e AMP-së sekuestruan katër pajisje kompjuterike që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit, katër monitorë, si edhe pajisje serverike dhe elemente të tjera teknologjike që, sipas hetimeve paraprake, shërbenin për organizimin e basteve sportive të paligjshme.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit, përveç pajisjeve të dyshuara se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive të paligjshme, u gjetën dhe u sekuestruan edhe 15 doza lëndë e dyshuar narkotike, me peshë totale 6.45 gramë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa AMP ka nisur veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

AMP njofton se hetimet janë në vijim për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal, identifikimin e të gjithë personave të përfshirë, si dhe verifikimin e çdo rasti të mundshëm favorizimi, mosveprimi apo përfshirjeje të punonjësve të Policisë së Shtetit ose subjekteve të tjera që janë në fushën e mbikëqyrjes së Agjencisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT