“Gjoba për ata që rrisin çmimet e ushqimeve, po dezinfektojmë urbanët”

Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për përballimin dhe ndalimin e përhapjes së Coronavirusit në kryeqytet. Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave të Bashkisë së Tiranës, ku u diskutua për masat e marra për situatën në Tiranë, Veliaj prezantoi një sërë vendimesh të rëndësishme, duke filluar nga shkollat, transporti publik etj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me higjienën, ndërsa lajmëroi se krahas çerdheve dhe kopshteve, ka nisur edhe dezinfektimi i autobusëve urbanë. “Kemi filluar të marrim disa masa sa i takon edhe transportit publik. Po dezinfektojmë rrugët dhe autobusët, megjithatë më lejoni të sqaroj diçka: Njeriun nuk e infekton as rruga, as autobusi, por njeriu infekton njeriun. Këshilla që dha sot kryeministri për higjienë personale është ABC-ja e rezistencës ndaj kësaj sfide që na ka ardhur në Tiranë. Ne po bëjmë dezinfektimin e rrugëve, e autobusëve, po një këshillë që vlen për të gjithë është ose të ecim, ose të përdorim biçikletën”, tha ai.

Një paralajmërim ka shkuar për pronarët e dyqaneve ushqimore dhe supermarketeve që përfitojnë nga kjo situatë duke rritur çmimet. Kush bën një gjë të tillë do të gjobitet si dhe do të procedohet penalisht.

Duke u ndalur tek konviktet, Veliaj lajmëroi pezullimin e përkohshëm të konvikteve gjer në rifillimin e mësimit. “Ka lindur nevoja që të shpjegoj një rregull që vlen si për shkollat, kopshtet e çerdhet, po ashtu edhe për konviktet. U kërkoj drejtoreshave të konvikteve që të komunikojnë se konviktet nuk do të funksionojnë. Pra, do të aplikojnë udhëzimin e qeverisë dhe urdhërin e Bashkisë së Tiranës për t’i mbyllur deri në datën 3 prill”, deklaroi ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se masa të forta do të merren edhe për celebrimet, ku përveç çiftit dhe dëshmitarëve të nevojshëm që kërkon ligji, nuk do të lejohen të tjerët. “Kam dhënë një porosi që në të 27 njësitë tona, përveç çifteve që detyrimisht duhet të celebrohen me dëshmitarët e tyre, çdo prani e tepërt familjarësh, kushërinj, dasmorësh, të ruhet për një moment tjetër. Nuk është ky momenti”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se në bashkëpunim dhe me komunitetet fetare do të ketë masa edhe për shërbesat. Lidhur me ceremonitë mortore, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për kufizime, veçanërisht të ritit të dhënies së dorës.

“Ka disa aktivitete që tipikisht menaxhohen nga Bashkia e Tiranës siç janë shërbimet funerale. Ka disa tradita shumë të mira shqiptare që ne shkojmë, bëjmë për njëri-tjetrin. Duke qenë se jemi në një situatë emergjente, duhet të shmangim zakonet e dhënies së dorës në tubime të mëdha, kur ngushëllojmë dikë, do të gjejmë mënyra të tjera për të shprehur keqardhjen. Do të duhet që në çdo shërbim funeral, si në Sharrë, edhe në Tufinë, të këshillojmë familjarët që ky nuk është momenti për të bërë ritualin e dhënies së dorës”, sqaroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës do të kufizojë numrin e punonjësve që do të jenë në shërbim me qëllim parandalimin e përhapjes së Coronavirusit. Kryebashkiaku Veliaj shpjegoi edhe kategoritë e punonjësve të Bashkisë që do të marrin leje. “Do të bëjmë një kufizim të punonjësve të Bashkisë së Tiranës, sidomos të stafeve që janë mbi 60 vjeç, të cilët fare mirë mund të marrin disa ditë pushim ose ndërprerje të ardhjes në zyrë sepse janë kryesisht moshat e mëdha ato që preken më shumë, ndërkohë që stafet e Bashkisë së Tiranës që janë në mënyrë të vazhdueshme të ekspozuara ndaj palëve të tjera. Do kërkoja t’u japim leje deri në datën 3 prill”, tha Veliaj.

Si pasojë e ndërprerjes së çerdheve dhe kopshteve, do të ketë lehtësira edhe për ata prindër që kanë fëmijë të vegjël. “Një nga pyetjet që na ka ardhur sot nga qytetarët ka të bëjë me prindërit që kanë fëmijë në kopshte e çerdhe. Porosia ime për Burimet Njerëzore të Bashkisë së Tiranës është që secila drejtori të dakordësojë me stafin e vet; kush duhet të firmosë shkresa në protokoll, mund të vijë një orë në mënyrë që të mos pengojmë rrjedhën e punëve të qytetit, kurse të tjerët mund të bëjnë punë nga shtëpia nëpërmjet kompjuterit. Sigurisht, kam parasysh në mënyrë të posaçme nënat që kanë fëmijë në kopshte e shkolla, çerdhe, pra që janë më të prekura nga kjo situatë”, sqaroi kreu i Bashkisë, teksa i theksoi se shëndeti është mbi gjithçka.

“Sot është koha për t’u kujdesur për shëndetin dhe sidomos për fëmijët që do qëndrojnë në shtëpi prej ndërprerjes së procesit mësimor do të doja që Bashkia e Tiranës të ishte e para që vendos këtë etalon, për të liruar sidomos nënat dhe stafin jo esencial që të jenë pranë fëmijëve, duke ardhur 1-2 orë në ditë, për ato që janë le të themi firma të nevojshme apo procedura që Bashkia e Tiranës i ka jetike për avancimin e punës”, sqaroi Veliaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT