Fishta i Sindikatës jep alarmin: Policët 8 orë në shërbim, pa maska dhe pa ushqim!

Policia e Shtetit është e vetmja që së bashku me personelin mjekësor janë më efektivët në shërbim 24/24 ndaj qytetarëve, në kuadër të fatkeqësisë natyrore të COVID-19.
Efektivët që janë në shërbim në këto ditë të vështira për të gjithë vendin, duhet të kenë trajtim të njëjtë si shumica e punonjësve që po sakrifikojnë, mjekët apo edhe forcat e armatosura.
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, thotë se efektivët punojnë 8 orë, pa maska dhe doreza, të cilat mundohen t’i sigurojnë me lekët e tyre.
Për “Report Tv”, Fishta tha se është detyrë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të ndihmojë efektivët dhe t’u japë siguri gjatë qëndrimit në detyrë, duke mos rrezikuar veten dhe familjarët e tyre kur shkojnë në shtëpi.
Vetëm në Tiranë janë 66 postblloqe policie, ku efektivët sipas Fishtës qëndrojnë 8 orë, ndryshe nga Forcat e Armatosura që qëndrojnë 4 orë dhe u çohet ushqim.
“I takon Drejtorisë së Përgjithshme për t’i pajisur punonjësit me maska dhe doreza në bazë të vendimit të qeverisë për të mos rrezikuar as vet as familjet e tyre në lidhje me kontaktet që kanë me personat që qarkullojnë me autorizim, pavarësisht se janë apo jo të prekur nga koronavirusi. Forcat e Armatosura kryejnë shërbim 4 orë në postblloqe janë të pajisur nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes edhe me maska edhe doreza, u ofrohet edhe ushqimi për 4 orë. Policët rrinë 8 orë pa maska e doreza, nuk kanë asnjë vakt ushqim edhe pse u takon me ligj”, u shpreh ai.
Fishta preku edhe probleme të tjera nga të cilat preken uniformat blu në këtë situatë. “Problem tjetër është mos sigurimi i mjeteve të transportit, shumë vijnë nga fshatrat e Tiranës.
U duhet të vinë në punë me biçikletë, 2 orë për të ardhur, e dy orë për të ikur. Policia e ka detyrim transportin për t’i kthyer në banesat e tyre punonjësit që paraqiten në detyrë. Pa marrë parasysh edhe punonjës që vijnë nga Durrësi e Elbasani, që janë të atashuar në Tiranë.
Drejtori i përgjithshëm nuk është vetëm për të dhënë urdhra, por edhe për të siguruar kushtet normale, më të domosdoshme për situatën e sigurisë ku punonjësit e policisë po punojnë. I bëjmë thirrje qeverisë të rishikojë trajtimin e tyre. Duhet vlerësuar sakrifica dhe mundi i punonjësve të qeverisë njësoj si strukturat e tjera”, tha kreu i Sindikatës.