Qielli i pushtuar nga raketat BLLOKON 2000 shqiptarë në Dubai! Ambasadori Kurtezi jep shpresë për rikthimin e tyre në atdhe: Situata nën kontroll, nesër…

Ambasadori shqiptar në Emiratet e Bashkuara, Ridi Kurtezi, ka zbuluar se aktualisht në Dubai ndodhen rreth 1,500 shqiptarë që punojnë e jetojnë në vend, duke shtuar se po të llogariten dhe turistët, numri në total i bashkatdhetarëve tanë mund të kapë shifrën 2,000.

Në një prononcim për Top Channel, Kurtezi u shpreh se shpërthimet në Dubai ishin të papritura, pasi më parë u njoftua se nuk do të lejohen sulmet në vend.

Mirëpo situata e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme, e cila preku edhe një pjesë të Dubait, ka bërë që të merren masa për mbrojtjen e të gjithë njerëzve, duke penguar lëvizjen e tyre për shkak të raketave që kanë pushtuar qiellin.

Kurtezi theksoi se po të llogariten edhe shtetasit shqiptarë që shkojnë me pushime në Dubai, numri total mund të kapë shifrën 2,000, duke shtuar se pritet që ditën e nesërme të jepen lajme të mira për të mundësuar lëvizjen e njerëzve.

Fjala e plotë e Ridi Kurtezit:

Ka qenë e papritur dhe e paparashikueshme, për faktin se lidershipi këtu ka qenë në kontakte të vazhdueshme me planet iraniane dhe ishte e pamenduar që do të kishte goditje të tilla. Për më tepër, ky vend dhe vendet e tjera të Gjirit kanë bërë të ditur prej kohësh se ato nuk do të lejojnë asnjë sulm nga territoret e tyre.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe kemi përafërsisht 1,400–1,500 shqiptarë me rezidencë, që punojnë dhe jetojnë këtu, por edhe një numër turistësh, i cili është i panjohur, pasi ata lëvizin pa viza dhe nuk kanë obligim të lidhen me ambasadën. Mendohet se, përveç këtyre 1,500 rezidentëve, mund të ketë rreth 2,000 të tjerë që shkojnë dhe vijnë pa pasur nevojë për vizë.

Ka një interes të shtuar për të kuptuar se çfarë do të ndodhë. Jemi në kontakt, shkëmbejmë telefonata dhe email-e, mundohemi t’i qetësojmë, pasi nuk bëhet fjalë për një bllokim, por për gjetjen e rrugëve alternative për lëvizjen e tyre. Sot kjo është e pamundur, sepse duhet të kuptojmë se mbrojtja raketore e Emirateve, e cila sot është një nga më të mirat në botë, nuk mund të lejojë lëvizjen e aeroplanëve, pasi duhet të interceptojë raketat.

Mendoj se edhe nesër do të kemi lajme të reja, të cilat do të mundësojnë lëvizjen. Sot kam ardhur nga Ministria e Punëve të Jashtme; kam qenë atje në një briefing të ministres së shtetit, e cila bëri me dije se nuk duhet të ketë vend për panik, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë situatën nën kontroll përmes mbrojtjes raketore.

Sa i përket hapjes së hapësirës ajrore, ajo lidhet jo vetëm me Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe me vendet fqinje, të cilat e kanë të mbyllur hapësirën ajrore përmes Arabisë Saudite, Katarit dhe Kuvajtit. Kjo është situata aktuale.

Nuk po flitet për momentin për evakuim, për faktin se leja për hyrje dhe dalje është e pamundur, jo vetëm për Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe për vendet fqinje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT