Si konsumatorët shqiptarë mund t’i mbrojnë të dhënat personale?

A nuk na ka ndodhur shpesh që të na marrin në telefon e të na reklamojnë një produkt apo shërbim. Shpesh pyesim veten po vallë si i kanë marrë kontaktet tona apo kush ia u ka dhënë të drejtën që të na shqetësojnë? Pyetje të tilla, ku vrasim mendjen se çfarë do të bëhet me të dhënat tona private, shpesh bëjmë dhe kur vendosim të hedhim të dhënat bankare apo kontaktet tona në regjistrime apo blerje të caktuara online.
Lajmi i mirë për shtetasit shqiptarë është se ka një kod ligjor, struktura, si dhe mënyra që na mbrojnë apo na shërbejnë në momente që përballemi me situata të tilla stresuese. Ligji që na vjen në ndihmë kur të dhënat tona personale është ai i nr. 9887 i datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Por përpara se të shkoni tek ligji ka disa hapa që ne si qytetarë mund ti ndjekim:
Hapi i parë që duhet marrë në momentin që kontaktohemi nga një biznes shqiptar i cili përpiqet të na promovojë shitjen e një shërbimi apo produkti, të cilit ne nuk mbajmë mend apo nuk i kemi dhënë të drejtën e përdorimit të të dhënave është mjaft i thjeshtë. Bisedojmë në çast me telefonuesin e përpiqemi t’ia bëjmë të ditur shqetësimin tonë. Si hap i parë gjithnjë rekomandohet të bisedohet me individin që po përpiqet të na shesë produktin apo shërbimin, nëse mundet që këto të dhëna tona t’i fshijë nga database apo mos të kontaktohemi më nga ky biznes.
Në momentin që këtij shqetësimi nuk mund t’i japim dot zgjidhje me palën që disponon të dhënat tona private, atëherë na ndihmon Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes të të Dhënave Personale. Sipas Redi Skënderit, njohës i mirë i këtyre rasteve të cënimit të privatësisë e punonjës i zyrës së Komisionerit, ky institucion përdor tre instrumenta mbi biznesin që kemi ngritur shqetësimin tonë. Ato variojnë sipas çështjes. “I pari është “Rekomandim”, i cili i dërgohet biznesit e i thuhet qartazi ndalimi i përdorimit të të dhënave personale të individëve. I dyti është “Urdhërim” i cili nënkupton pezullim aktiviteti dhe i treti është “vendim i penalizimit administrativ” apo ndryshe gjobë”, shprehet Skënderi.
Sipas statistikave, të publikuara nga raporti vjetor i zyrës së komisionerit i vitit 2018, shihet se ka pasur një trend në rritje të numrit të ankesave përgjatë viteve 2014-2018. Për vitin 2018 ka pasur 245 ankesa nga të cilat 170 kanë rezultuar me përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave dhe mbi këto ankesa veçse 28 janë bërë inspektime. Gjithashtu sipas hetimeve administrative të Zyrës së Komisionerit, nga 103 rekomandime të lëna gjatë viteve 2016-2017, një numër i konsiderueshëm i bizneseve kanë reaguar duke dërguar informacion me përmbushjen e detyrimeve.
Vlen për t’u përmendur fakti që ndonëse ky si problem nuk është se përbën shqetësim të madh për shqiptarët, ka akoma përmirësime ligjore që mund të realizohen në këtë fushë.
Në San Diego të Kalifornisë të ShBA-së falë ligjit të mbrojtjes të të dhënave, i hyrë në fuqi në 1 janar të 2020-ës, qytetarët kanë të drejtën të dëmshpërblehen monetarisht nëse me të dhënat e tyre personale abuzohet. Ndërsa në Shqipëri shohim se ligjet akoma nuk i konsiderojnë të dhënat tona personale si pronë e jona.
Ky ndryshim në mentalitet dhe në ligj nuk dihet se kur mund të bëhet pjesë normale e jetesës sonë të përditshme. Kjo, pasi efektet kaskadë që do japë ky ndryshim do jenë të shumtë. Duke marrë shembull nga situata në San Diego, kompanitë në koherencë me strukturat ligjore e aprovimin e qytetarëve duhet t’iu vendosin një çmim të dhënave personale të qytetarëve që disponojnë. Kjo do të ketë kosto për këto kompani si dhe ndryshime në pasqyrat e tyre financiare. Gjithashtu do të rrisë riskun financiar për ato kompani që poseidojnë këto të dhëna nëse teknologjia e tyre e ruajtes së këtyre të dhënave kompromentohet.