Pesë shtetet europiane dhe Japonia marrin GUXIMIN dhe dalin me DEKLARATË: Jemi të gatshëm për të siguruar kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit! (E PLOTË)

Pesë vende evropiane së bashku me Japoninë njoftuan të enjten se janë të gatshme të ndërmarrin masa për të stabilizuar tregjet globale të energjisë dhe për të garantuar kalimin e sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë ndërkombëtare të naftës.
Në një deklaratë të përbashkët, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Holanda dhe Japonia dënuan sulmet e fundit të Iranit dhe i bënë thirrje Teheranit të ndalojë menjëherë veprimet e tij, duke theksuar se “liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare”, i njohur edhe në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit.
“Siguria detare dhe liria e lundrimit janë në interes të të gjitha vendeve. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të mbështesin parimet themelore të prosperitetit dhe sigurisë ndërkombëtare,” thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë e vendeve pjesëmarrëse thekson:
-Dënimin e sulmeve të Iranit ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturës civile, përfshirë objektet e naftës dhe gazit.
-Kërkesën për ndërprerje të menjëhershme të kërcënimeve, vendosjes së minave, sulmeve me dronë dhe raketa, dhe çdo përpjekjeje për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit.
-Kujdesin për pasojat e këtyre veprimeve që ndihen globalisht, sidomos nga komunitetet më të prekshme.
Vendet njoftuan se janë “të gatshme të kontribuojnë për të siguruar kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit” dhe do të ndërmarrin masa për të stabilizuar tregjet e energjisë, duke përfshirë rritjen e prodhimit me vendet prodhuese.
Po ashtu, ato do të ofrojnë mbështetje për vendet më të prekura përmes mekanizmave të OKB-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Deklarata mirëpret edhe vendimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për trajtimin e koordinuar të lirimit të rezervave strategjike të naftës.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të mbështesin parimet themelore të prosperitetit dhe sigurisë ndërkombëtare,” përfundon deklarata.
Ndërkohë nga ana tjetër ministri i Jashtëm iranian deklaroi më herët se të gjithë ata që ndihmojnë Donald Trump të hapë Ngushticën e Hormuzit, do të “vuajnë pasojat”.
Gjatë një telefonate me homologun e tij japonez Toshimitsu Motegi, Araghchi pohoi se situata aktuale në Ngushticë është shkaktuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, e paralajmëroi se pjesëmarrja e çdo vendi në përpjekjen për të thyer bllokadën iraniane do të përbënte “bashkëpunim në agresion dhe krimet e tmerrshme të kryera nga agresorët”.
Deklarata e plotë:
Ne dënojmë me fjalët më të ashpra sulmet e fundit të Iranit ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik, sulmet ndaj infrastrukturës civile, duke përfshirë objektet e naftës dhe gazit, dhe mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit nga forcat iraniane. Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për konfliktin në rritje.
Ne i bëjmë thirrje Iranit që të ndërpresë menjëherë kërcënimet, vendosjen e minave, sulmet me dronë dhe raketa, si dhe përpjekjet e tjera për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit për anijet tregtare dhe të përmbushë Rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Liria e lundrimit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, siç është sanksionuar në Konventën e OKB-së mbi Ligjin e Detit.
Pasojat e veprimeve të Iranit do të ndihen nga njerëzit në të gjitha pjesët e botës, veçanërisht nga më të prekshmit. Në përputhje me Rezolutën 2817 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne theksojmë se një ndërhyrje e tillë në tregtinë ndërkombëtare detare dhe ndërprerja e zinxhirit global të furnizimit me energji përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ne bëjmë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse të sulmeve ndaj infrastrukturës civile, duke përfshirë instalimet e naftës dhe gazit.
Ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të siguruar kalim të sigurt përmes Ngushticës. Ne mirëpresim angazhimin e vendet e përfshira në përgatitjen e planeve.
Ne mirëpresim vendimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë për të miratuar trajtimin e koordinuar të lirimit të rezervave strategjike të naftës. Ne do të marrim masa të tjera për të stabilizuar tregjet e energjisë, duke përfshirë punën me një numër vendesh prodhuese për të rritur prodhimin.
Ne gjithashtu do të punojmë për të ofruar mbështetje për vendet më të prekura, përmes OKB-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Siguria detare dhe liria e lundrimit janë në interes të të gjitha vendeve. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të mbështesin parimet themelore të prosperitetit dhe sigurisë ndërkombëtare.