Pas “divorcit” me PD-në dhe rrugëtimit në Bankën e Shqipërisë, ish-ministri i Berishës nderohet nga socialistët dhe demokratët në Devoll: Ridvan Bodes i japim titullin “Qytetar Nderi”

Një vlerësim simbolik për një nga figurat më të njohura politike që ka dalë nga Devolli është miratuar së fundmi nga Këshilli Bashkiak i kësaj bashkie. Me shumicë votash, këshilltarët vendosën t’i akordojnë titullin “Qytetar Nderi” ish-ministrit të Financave dhe ish-deputetit të qarkut të Korçës, Ridvan Bode, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij ndër vite në zhvillimin dhe përfaqësimin e zonës.
Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të posaçme të këshillit, ku përfaqësues të spektrit politik, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, vlerësuan rolin që Bode ka luajtur në institucionet qendrore, veçanërisht në adresimin e çështjeve dhe nevojave të banorëve të Devollit.
Sipas këshilltarëve bashkiakë, gjatë karrierës së tij në politikë dhe në administratën shtetërore, Bode ka kontribuar në mbështetjen e një sërë projektesh zhvillimore që lidhen me zonën. Mes tyre përmenden investime në infrastrukturë, përmirësimi i financave publike, si dhe mbështetje për projekte në sektorë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia. Ndërtimi dhe rikonstruksioni i objekteve arsimore, qendrave shëndetësore dhe nismat për zhvillimin e sektorit bujqësor janë disa nga ndërhyrjet që, sipas tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së komunitetit.
Edhe pas përfundimit të angazhimeve në poste publike, Ridvan Bode nuk është shkëputur nga zona e tij e origjinës, duke ruajtur kontakte të vazhdueshme me komunitetin dhe duke mbështetur iniciativa që lidhen me zhvillimin lokal.
Në jetën e tij politike dhe institucionale, Bode ka mbajtur disa poste të rëndësishme shtetërore, ndër më kryesorët atë të ministrit të Financave. Për disa mandate ai ka përfaqësuar në Kuvend qarkun e Korçës, duke u konsideruar si një nga figurat politike më të spikatura që ka dalë nga Devolli.
Ai është doktor i Shkencave Ekonomike, i diplomuar në Montpellier të Francës në vitin 1995. Për shumë vite ka qenë një nga figurat intelektuale të Partisë Demokratike, ndërsa që prej dhjetorit të vitit 2018 është pjesë e Këshillit Mbikëqyrës te Banka e Shqipërisë..
Kujtojmë se emërimi i tij në këtë institucion erdhi në një moment kur Bode vendosi të largohej nga angazhimi aktiv politik dhe të bënte një “divorc” me Sali Berishën dhe të djathtën shqiptare. Në atë kohë ai deklaroi publikisht se do të “zhvishej” nga politika, duke shënuar edhe distancimin e tij nga Partia Demokratike, me të cilën kishte qenë i lidhur për shumë vite.