Paraditen e 12 marsit në SPAK, pasdite në premierë! Monika Kryemadhi prezantohet si aktore dhe producente e filmit “Me Fat”: Kur Rama të shtrojë iftarin ne do shijojmë momentin

Në një prononcim për mediat, ish-politikanja Monika Kryemadhi u prezantua sot shumë më ndryshe nga seç jemi mësuar ta shikojmë zakonisht.
Duke folur si një aktore dhe prodeucente e filmit “Me fat”, Kryemadhi zbuloi se ftesën e mori në një moment të papritur të jetës kur ajo mendoi të bëhet pjesë e një bote komplet të re për të.
“Ftesa më erdhi në një moment shumë të errët të jetës ime dhe ndonjëherë kur njeriu kërkon të ikë nga një moment i tillë, hidhet në një botë të re. Roli im është i vogël, por ka një domethënie në udhëkryqet që ne hasim”, u shpreh Monika Kryemadhi.
Premiera e filmit siç është njoftuar dhe më parë do të realizohet mbrëmjen e 12 marsit. Një ditë kur Kryemadhi do të nisë një udhëtim tërësisht të ri.
Mëngjesin e 12 marsit Kryemadhi do të paraqitet në SPAK për të përmbushur masën e sigurimit “detyrim paraqitje”, ndërsa pasdite është shprehur se do të shijojë premierën e filmit.
“Më 12 mars do të ketë protestë para Kuvendit, Rama do të shtrojë iftar dhe sa ha kryeministri, ne do të nisim me premierën në orën 7” u shpreh Kryemadhi.
Kujtojmë se Monika Kryemadhi është marrë e pandehur si e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 (dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.