Bonusi i fundvitit për pensionistët/ Ekspertja: Politikë sociale dhe kompensim për inflacionin

Qeveria ka vendosur të akordojë një fond prej 97 milionë eurosh për bonusin e fundvitit që do u shpërndahet pensionistëve në të gjithë vendin. Ky është një prej fondeve më të mëdha të miratuara vitet e fundit për këtë kategori.
Në rishikimin e fundit të buxhetit, shtesa në fondin e bonusit parashikohet 5.9 miliardë lekë ose 61 milionë euro, përveç vlerës së programuar më herët prej 3.5 miliardë lekësh.
Pensionistët me pensione mbi 20 mijë do të përfitojnë 10 mijë lekë bonus, ndërsa ata me pension më të ulët se 20 mijë lekë, do marrin 15 mijë lekë. Nga by bonus pritet të përfitojnë 756 mijë pensionistë.
E ftuar në studion e “Mirëmëngjes Shqipëri”, ekspertja e ekonomisë Etleva Treska e cilësoi bonusin e fundvitit si një masë sociale, që lidhet ngushtë me rritjen e të ardhurave buxhetore dhe me kompensimin e inflacionit.
“Kjo fillon nga politikat e buxhetit të shtetit. Në momentin që ka të ardhura të bollshme, jepen bonuse për pensionistët dhe kategori të tjera si invalidët. E shoh si politikë sociale dhe rrjedhim të rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit”, u shpreh Treska.
Ajo shtoi se me një normë inflacioni prej rreth 3% gjatë vitit, pensionistët kanë ndjerë ulje reale të fuqisë blerëse, ndaj bonusi shërben si një kompensim i pjesshëm.
“Bonusi është një mënyrë për të balancuar këtë humbje. Për këtë arsye është e drejtë që ata që kanë pensione më të ulëta të marrin edhe bonus më të lartë”, theksoi ajo.
Duke folur për skemën e sigurimeve shoqërore, Treska nënvizoi se ajo mbetet një pikë e dobët për vendet e rajonit.
“Skema që ndiqet është ende ajo e Bismarck-ut. Borxhi i jashtëm përbën pjesën më të madhe të mbulimit të saj. Ndaj fondet shtesë të buxhetit nuk ndikojnë drejtpërdrejt në sigurimet shoqërore”, tha ajo.
Sipas saj, fondi total për bonusin dhe ndryshimet e buxhetit gjatë vitit i çojnë shpenzimet në mbi 7.9 miliardë lekë.
Treska theksoi se për pensionistët me të ardhura të ulëta, pjesa më e madhe e parave shkon për mallrat bazike të shportës ushqimore.
“Kur ke pak të ardhura, ato shpenzohen për produktet bazë, ushqime, ilaçe dhe shërbime jetike. Bonusi rrit qarkullimin e parasë dhe ndikon pozitivisht edhe te konsumi i tregut”, përfundoi ajo.