Për kultin e banalitetit, femrat buzë-viç dhe filmat si ‘Tropoja’

Në një analizë mbi ndikimin shoqëror në formimin e individit, autori Viktor Malaj shkruan sot edhe mbi rolin që luan tek kjo edhe media, filmi, teatri, muzika apo libri.
“Për fat të keq, thuajse të gjitha këto kanë marrë karakter kryekëput komercial. Pra, u intereson vetëm fitimi material, pa i përfillur parimet morale. Biznesi nuk promovon çfarë i nevojitet shoqërisë dhe të ardhmes së saj, por çfarë i nevojitet atij vetë dhe sa më shpejt, duke i mëshuar fort tërheqjes nga sipërfaqësorja dhe kënaqjes së instinkteve”- thotë Malaj dhe shton:
“Një media si e jona nuk promovon dot dijen dhe humanizmin, nuk promovon modelin e Mari Kyrisë dhe Nënë Terezes, por modelin Kim Kardashian dhe një tufë vajzash me buzët si viç, të ndenjurat si dardhat e boksierëve, gjoksin si kamerdare që bashkë me lakuriqësinë e trupit manifestojnë përditë zbrazëtinë mendore e morale, që rendin të krijojnë lidhje me bosët e krimit nga të cilët e pësojnë jo rrallë.
Thuajse askush nuk i njeh disa nga femrat e suksesshme shqiptare brenda dhe jashtë vendit në fushat e dijes, muzikës, letërsisë dhe artit, por shumëkush ua di emrat dhe iu njeh fytyrat gjithfarë fyryfyçkave që shfaqen pandarë nëpër ekrane dhe gazeta, pa kurrfarë kulture dhe talenti.
Një film i reklamuar kohët e fundit me titull “I love Tropoja” ( në anglisht, si përçmim ndaj shqipes ) përmbante elementë të turpshëm. Një personazh i moshuar pohon se “kam 40 vjet që fle me një burrë”, me çka nënkuptonte gruan e tij, duke e fyer femrën bashkëshorte dhe, si për t’i vënë qeleshen ” emancipimit ” të tij, kërkon të ndërrojë orientimin seksual. Shikoni moralin dhe mesazhet që përcjellin shumica e programeve “artistike” të humorit apo videoklipet e këngëve “moderne”.
Në to, sidomos tek këngët, lartësohet kulti i banalitetit, luksit, alkoolit, drogës, lakuriqësisë, epshit dhe dhunës. T’u shtojmë këtyre edhe agresionin pornografik të lejuar kriminalisht në kompjutera nga “luftëtarët e lirive tona” dhe, paskëtaj, na bëhet e lehtë ta marrim me mend se cili do të jetë nesër personaliteti i shumicës së fëmijëve të sotëm, cilat do të jenë konceptet e tyre për jetën, familjen dhe gruan. Çfarë do të mbjellësh, do të korrësh”
*****
Analiza e plotë botuar sot si kopertinë e gazetës DITA mund të lexohet duke klikuar KËTU