Ndërkombëtarët, “vija e kuqe” që ndan Metën me Bashën

Lulzim Basha i vlerësoi si të drejta, kushtetuese dhe institucionale qëndrimet e Presidentit Ilir Meta sa u takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në bashkëbisedimin me gazetarët thirrur pas kthimit të tij nga Gjermania, kreu i PD-së theksoi se për këtë Presidenti ka patur dhe ka mbështetjen totale të opozitës.
Por, a e ka Ilir Meta mbështetjen e PD-së edhe në përplasjen me ndërkombëtarët?
“Nuk bëj komente për komentet e Presidentit, apo kujtdo tjetër në raport me çështje të tilla. Nuk komentoj as përfaqësuesit e huaj dhe me sa duket jam ndër të paktët që e bën këtë. Një gjë është e sigurtë, keqpërdorimi masiv i përfaqësuesve ndërkombëtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë nga ana e Edi Ramës”, iu përgjigj Basha interesimit të gazetarëve mbi këtë përplasje.
Kryetari i PD-së e sheh keqpërdorimin e tyre tek kanabizimi i Shqipërisë, tek fshehja e Edi Ramës pas ambasadorëve për kapjen e drejtësisë dhe për të gjitha ato që i quajti dështime të tjera të Kryeministrit, por në asnjë rast në gjuhën e përdorur nuk i rreshtoi ndërkombëtarët, apo pjesë të misioneve diplomatike ndërkombëtare në Tiranë, në krah të Edi Ramës, ashtu siç bëri javën e kaluar Ilir Meta.
Por, për dallim me herët e tjera në përplasjen e fundit të konsumuar javën e shkuar, Presidenti Ilir Meta shënjestroi një pjesë të ndërkombëtarëve. Ai shpalli “të padëshirueshëm” në Presidencë ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt dhe foli për disa diplomatë që janë bërë “palaço” dhe “lecka të Edi Ramës”. Larg këtyre akuzave nuk mbeti as Ambasada Amerikane, që ditën e enjte, përmes një deklarate këshillonte adresimin e përplasjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese për në Komisionin e Venecias.
“Amerika nuk është tek Rruga e Elbasanit (Selia e Ambasadës Amerikane)! Amerika dhe Bashkimi Europian është këtu”, u shpreh Presidenti duke bërë me dorë në zemër.
Këto zhvillime e gjetën Lulzim Bashën në Zagreb për punimet e Kongresit të Partive Popullore Europiane dhe më pas në Laipzig për të ndjekur kongresin e kristian-demokratëve gjermanë. Megjithatë, në Tiranë Gazment Bardhi, Edi Paloka dhe të tjera figura drejtuese demokrate i dhanë të drejtë Presidentit dhe akuzuan Kryeministrin Edi Rama se kërkon që të kapë Gjykatën Kushtetuese.
Demokratët nuk i kanë fshehur pakënaqësitë ndaj ndërkombëtarëve, sidomos ndaj Ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt, të cilin Sali Berisha e ka cilësuar publikisht si krejtësisht të njëanshëm. Por, pavarësisht kësaj, ndryshe nga Meta që e ka shpallur “non grata” në Presidencë, Basha e priti në zyrë gjatë një takimi me një delegacion të OSBE-së në selinë e PD-së.
Këtë përplasje të re për reformën në drejtësi, Basha e sheh edhe si një tjetër provë që koha i dha të drejtë Partisë Demokratike dhe kërkoi nga gazetarët e përmes tyre edhe nga ndërkombëtarët që t’i jepej “haku” opozitës. Ndërkombëtarët nuk e mirëkuptuan djegien e mandateve, por kreu i PD-së e vlerësoi si një pikë kthese për vendin.
Dallimi është edhe në gjuhën e përzgjedhur për të paralajmëruar Edi Ramën. Basha është falenderon ndërkombëtarët, por thotë se përballja “me të gjitha format demokratike” është e pashmangshme.
“Unë u jam mirënjohës ndërkombëtarëve që i bëjnë thirrje që prej qershorit Edi Ramës që të pranojë zgjidhjen e krizës. Kjo përballje do të bëhet e pashmangshme nëse PS nuk gjen kurajo që të vendosë një herë të vetme në këto 7 vite interesin e shqiptarëve para interesit personal të Edi Ramës”, deklaroi Basha.