Ministrat e rinj do të betohen nesër në Presidencë! Tranzicion i qetë në Ministrinë e Mbrojtjes, Ermal Nufi dhe Pirro Vengu të buzëqeshur krah njëri-tjetrit

Anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave, të dekretuar nga Bajram Begaj dhe të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, do të kryejnë ceremoninë zyrtare të betimit përpara Presidentit të Republikës ditën e nesërme.
Sipas njoftimit të bërë nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, ceremonia do të zhvillohet më 6 mars 2026, në orën 10:00, në ambientet e Pallati i Brigadave. Në këtë ceremoni pritet që ministrat e rinj të formalizojnë marrjen e detyrës dhe të nisin zyrtarisht funksionin e tyre në kabinetin qeveritar.
Dekretimi i tyre erdhi një ditë më parë, pasi kryeministri Edi Rama i dorëzoi presidentit propozimet për një sërë ndryshimesh në qeveri. Ndryshime përfshinë shtatë lëvizje në kabinet, mes emërimeve të reja, shkarkimeve dhe riorganizimeve në disa dikastere kyçe të ekzekutivit, në kuadër të mandatit të katërt qeverisës.
Ndërkohë që ditën e sotme, mes debateve dhe tensioneve në sallën e seancave, Kuvendi i Shqipërisë miratoi dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të rinj të kabinetit.
Në përbërjen e re të qeverisë janë emëruar:
Albana Koçiu, Zëvendëskryeministre
Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Besfort Lamallari, Ministër i Punëve të Brendshme
Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes
Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë
Enea Karakaçi, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Erjona Ismaili, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndërkohë, pak para zhvillimit të seancës plenare, fotografi Agim Rama ka fiksuar një moment simbolik mes ministrit të ri të Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe paraardhësit të tij, Pirro Vengu. Në fotografinë e publikuar, të dy shihen të buzëqeshur krah njëri-tjetrit, një foto e cila është interpretuar si një shenjë e një tranzicioni të qetë në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes.