Me të zeza dhe kapuç në kokë, publikohen imazhet e autorit të shpërthimit në ambasadën e SHBA

Policia norvegjeze ka publikuar imazhet e personit të dyshuar për shpërthimin e ndodhur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Oslo.

Siç shihet në foto, i dyshuari është i veshur me rroba të zeza, me këpucë dhe mban një çantë shpine. Imazhet, të shkëputura nga kamerat e sigurisë, tregojnë lëvizjet e të dyshuarit pranë selisë diplomatike amerikane pak çaste përpara shpërthimit të ndodhur në orët e para të së dielës.

Hetuesit po kërkojnë ndihmën e publikut për identifikimin e autorit, ndërsa dyshimet e para lidhen me situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Ekspertët e kriminalistikës konfirmuan se bëhet fjalë për një “pajisje shpërthyese të improvizuar”, e cila shkaktoi një goditje të fuqishme në hyrjen e seksionit konsullor.

Shpërthimi, i regjistruar rreth orës 1:00 të mëngjesit, tronditi kryeqytetin norvegjez, duke thyer dyert prej xhami, por nuk pati të lënduar.

Në vendngjarje, teknikët e policisë kanë vijuar punën nën masa të rrepta sigurie. Ministrja e Drejtësisë njoftoi se ngjarja po trajtohet me prioritet maksimal.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit dhe vetë ambasada nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT