Zbulohet “shtëpia publike” në Durrës, arrestohen dy kineze, procedohen tre klientët

Policia e Durrësit ka zbuluar një apartament në Durrës ku ushtrohej prostitucion dhe ka arrestuar dy shtetase kineze.
Pas një hetimi trejavor u finalizua operacioni policor i koduar “STORM 8” dhe si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në rrugën “Venecia”, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, shtetaset M. Y., 41 vjeçe, dhe L. H., 48 vjeçe.
Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucion”, tre shtetas nga Librazhdi, Durrësi dhe Burreli, që u gjetën në apartamentin e marrë me qira nga dy shtetaset kineze.
Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetases kineze J. L., 53 vjeçe, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Policia njofton se këto shtetase kishin marrë me qira një apartament në zonën e Shkëmbit të Kavajës për qëndrim, ndërsa në rrugën “Venecia”, në Iliria, Plazh, kishin marrë me qira një tjetër apartament, të cilin e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetaset e huaja janë arrestuar edhe më parë nga shërbimet e DVP Durrës, për të njëjtat vepra penale, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në rrugën “Lule Bore”.
The post Zbulohet “shtëpia publike” në Durrës, arrestohen dy kineze, procedohen tre klientët first appeared on JavaNews.al.