Me ambasadorët, pa Elisa Spiropalin! Kush janë diplomatët në takimin virtual me Edi Ramën, në fokus lufta në Lindjen e Mesme

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një komunikim online me ambasadorët e Shqipërisë në vendet e prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme, duke vënë në fokus koordinimin e vazhdueshëm të masave të sigurisë për qytetarët shqiptarë dhe menaxhimin e kërkesave të tyre.

Në këtë takim virtual u vu re mungesa e Elisa Spiropalit, e cila vetëm disa ditë më parë u shkarkua nga kryeministri Edi Rama nga posti i saj si ministre e Jashtme, detyrë të cilën e mbante prej shtatorit të vitit të kaluar.

Në vend të saj mori pjesë Ferit Hoxha, aktualisht ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Europian, i cili pritet që në ditët në vijim të marrë detyrën si ministër i Jashtëm pas dekretimit nga presidenti Bajram Begaj.

Gjatë komunikimit, ambasadori Hoxha theksoi gatishmërinë e diplomacisë shqiptare për të ofruar mbështetje për qytetarët në zonat e konfliktit.

“E rëndësishme është që të mbajmë kontakte të ngushta, të regjistrojmë të gjithë bashkatdhetarët, dhe ata të mund të lidhen me ambasadat në çdo moment. Ne jemi në krye të detyrës për t’i ndihmuar ata,” tha Hoxha.

Përpos Hoxhës, të pranishëm në këtë takim online ishte edhe ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe; ambasadori në Egjipt, Sami Shiba; ambasadori në Kuvajt, Ilir Hysa; Rildi Kurtezi në Emiratet e Bashkuara Arabe, diplomatja e Shqipërisë në Turqi, Blerta Kadzadei, Ermal Kaleci në Katar, ambasadori Saimir Bala në Arabinë Saudite dhe ambasadorja në Greqi Luela Hajdaraga.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT