Mark Nika i pakënaqur me hetimet për “21 Janarin”: Dosja po zvarritet me qëllim, SPAK nuk ka vullnet të hetojë Berishën

Pesëmbëdhjetë vite pas ngjarjes së 21 janarit 2011 ku u vranë katër protestues, xhaxhai i  Aleks Nikës, njërit prej viktimave, ka akuzuar SPAK për zvarritje të qëllimshme të hetimeve.

I ftuar në Report Tv, Mark Nika tregoi se ka takuar kreun e SPAK, Klodian Braho, i cili e informoi për ecurinë e dosjes. Sipas Nikës, prokuroria speciale nuk ka treguar vullnet për të çuar përpara hetimet, ndërsa shumë çështje janë lënë të parashkruara.

“SPAK thotë se vrasjet e dy prej viktimave janë parashkruar, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur se janë kryer nga pakujdesia”, deklaroi ai.

Nika akuzoi se marrja në pyetje e Sali Berishës është bërë “me zor” dhe se prokuroria po shmang veprimet që do të çonin drejt identifikimit të urdhëruesve të vrasjeve.

Nuk i kanë kryer veprimet që çojnë drejt vërtetimit të fajësisë së personave që kanë urdhëruar vrasjet. Për ne urdhëruesi është i identifikuar sipas kasetës, por kush është urdhëruesi i urdhëruesit?”, shtoi ai.

Një tjetër pikë e fortë e kritikave të tij lidhet me kasetën e komunikimeve mes gardistëve më 21 janar, e cila është dorëzuar pranë SPAK prej dy vitesh.

“Ata duan ta dërgojnë në FBI, por akoma nuk e kanë nisur. Nuk e kuptoj pse zvarritet ekspertimi i saj”, tha Nika, duke shtuar se prokuroria po kërkon të dijë prejardhjen e kasetës, gjë që sipas tij është e pakuptimtë.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit me Brahon i ka kërkuar që në dosjen e “21 janarit” të angazhohet edhe një prokuror tjetër ose polic gjyqësor, por kreu i SPAK i është përgjigjur se “s’ka nevojë”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT