3 shkurti si prova e Kosovës

Teksa afati kushtetues prej 15 ditësh i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës për formimin e qeverisë së re është drejt mbarimit, duket se shpresat për krijimin e qeverisë janë shumë të zbehta.
Kjo pasi akoma nuk ka një marrëveshje mes dy partive kryesore që morën më shumë vota në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë. Edhe pse janë zhvilluar shumë takime mes dy krerëve të dy partive, Kurtit dhe Mustafës, ata do të shkojnë këtë 3 shkurt në seancën hapëse të kuvendit të ri pa një marrëveshje paraprake.
Mesa duket ata ja kanë lënë gjithçka atij momenti, edhe pse krerët e huaj të delegacioneve të akredituar në Kosovë kanë thirrur partitë politike në tryezë për të zgjidhur këtë ngërç politik.
Debatet dhe mosdakordësia e formimit të qeverisë mes LDK dhe VV ka ardhur siç duket për faktin që Mustafa ka kërkuar nga Kurti që përveç ministrive dhe emrit të presidentit të ardhshëm, t’i japë atij edhe postin e Kryetarit të Kuvendit. Për këtë të fundit, Vetëvendsoja kishte zgjedhur që në krye të herës Glauk Konjufcën.
Kjo pra kishte qenë edhe “molla e sherrit” mes dy liderëve politikë që rrezikon ta çojë Kosovën sërish në zgjedhje të parakohshme.
3 shkurti, data në të cilën mblidhet seance e parë e parlamentit të ri të Kosovës do të jetë një provë e madhe për gjithë klasën politike. Kjo sepse nga njëra anë LDK-ja është shprehur se do të votojë mandatarin për kryeministër, por pa thënë nëse do të bëjë apo jo koalicion me Kurtin.
Gjithashtu kryeministri në detyrë Haradinaj është shprehur se do të mbështesë qeverinë e Kurtit, por pa përvaktuar se si. Pra e gjithë klasa politike në Kosovë duket sikur e do unanimisht Albin kurtin kryeministër edhe pse ngjan tejet e pabesueshme referuar situatës mes të gjithë palëve.
Nga ana tjetër edhe vetë Kosova do të jetë në provë sesa e aftë do të jetë për të krijuar qeverinë e re, apo akoma mbetet një shtet i pakonsoliduar dhe me demokraci të brishtë. Të njëjtën pritshmëri duket se kanë edhe ndërkombëtarët.