“Lavdëroj kryeministrin dhe Kuvendin!” Shqipëria shpalli Iranin shtet financues të terrorizmit, reagon ministri i Jashtëm izraelit

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot një rezolutë të rëndësishme, duke e shpallur Iranin “shtet financues të terrorizmit”. Ndërkohë është bërë një reagim nga ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “X”.
Sa’ar ka shkruar se “lavdëron” kryeministrin Edi Rama dhe Kuvendin e Shqipërisë, për këtë rezolutë të cilës i është referuar si historike. Duke shtuar më tej se ky hap i marrë nga Kuvendi, “është një demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.”
Postimi i plotë: “E lavdëroj kryeministrin shqiptar@ediramaaldhe Kuvendit të Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë. @HoxhaFer”
Kujtojmë se rezoluta u miratua me 79 vota pro dhe vetëm 1 abstenim, duke reflektuar një mbështetje të gjerë nga deputetët e mazhorancës. Gjatë diskutimeve, ligjvënësit theksuan rëndësinë e këtij akti në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë për luftën kundër terrorizmit dhe forcimin e sigurisë globale.
Sipas përmbajtjes së rezolutës, Kuvendi dënon çdo formë mbështetjeje financiare apo logjistike për organizata terroriste dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për bashkëpunim më të ngushtë në këtë drejtim.