“Përfitimet e diplomatëve”, zbardhet pakti Shqipëri-Serbi
TIRANE – Një marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë dhe
Serbisë bën të mundur që familjarët e diplomatëve respektivë të
angazhohen në veprimtari fitimprurëse. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar
dje ekskluzivisht tekstin e plotë të këtij pakti ku specifikohen të
gjitha rastet kur familjarët e diplomatëve të të dy vendeve përfitojnë
të drejtën për t’u marrë me biznes. Sipas nenit 4 të marrëveshjes, të
miratuar pak javë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
përcaktohet se “anëtarët e familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni
civil dhe administrativ i Shtetit Pritës në përputhje me Konventën e
Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike ose dokumenti ndërkombëtar të
zbatueshëm, ky imunitet nuk do të zbatohet në lidhje me asnjë akt të
kryer gjatë veprimtarisë fitimprurëse dhe që nuk pajtohet me
legjislacioni civil dhe administrativ të Shtetit Pritës”. GSH boton sot
të plotë paktin Tiranë-Beograd dhe relacionin shoqërues të saj.
MARRËVESHJA
NDËRMJET
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË
REPUBLIKËS SË SERBISË PËR TË MUNDËSUAR MBI BAZA RECIPROKE FAMILJARËT E
ANËTARËVE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE APO POSTEVE KONSULLORE PËR T’U MARRË
ME VEPRIMTARI FITIMPRURËSE
Këshilli i Ministrave i Republikës së
Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Serbisë (më poshtë referuar si
“Palët”) dhe me qëllim që të lehtësojnë veprimtarinë fitimprurëse të
familjarëve të personelit të misioneve diplomatike apo posteve
konsullore të Shtetit Dërgues në territorin e Shtetit Pritës, bien
dakord si më poshtë:
NENI 1
Objekti i Marrëveshjes
Familjarët
që janë pjesëtarë të familjes së anëtarit të misioneve diplomatike apo
posteve konsullore të Shtetit Dërgues do të autorizohen, mbi bazë
reciproke, të merren me veprimtari fitimprurëse në Shtetin Pritës në
përputhje me dispozitat ligjore të Shtetit Pritës.
Për qëllimet e kësaj marrëveshjeje:
a)
”Anëtar i misionit diplomatik apo post konsullor” nënkupton çdo
punonjës të Shtetit Dërgues në një mision diplomatik, post konsullor apo
mision pranë një organizate ndërkombëtare, i cili nuk është nënshtetas i
Shtetit Pritës,
b) ”Anëtar i familjes” nënkupton bashkëshorti/a e
anëtarit të misionit diplomatik apo postit konsullor dhe çdo fëmijë i
pamartuar në ngarkim nën 18 vjeç, ose nën 26 vjeç kur janë studentë me
kohë të plotë në një institucion arsimor, pas arsimit të mesëm, në
Shtetin Pritës, i cili është pjesëtar i familjes së anëtarit të misionit
diplomatik apo nënpunësit konsullor;
NENI 2
Veprimtaria fitimprurëse
Anëtari
i familjes, referuar në nenin 1, paragrafi 2b), në këtë Marrëveshje
aktuale, mund të angazhohet në veprimtari fitimprurëse në përputhje me
ligjet dhe rregullat e Shtetit Pritës dhe kësaj Marrëveshjeje, me kusht
që ai/ajo të kenë marrë autorizimin e nevojshëm nga Shteti Pritës. Një
autorizim i tillë nuk aplikohet për nënshtetasit e Shtetit Pritës ose
banorët e përhershëm në territorin e tij. Autorizimi mund të refuzohet
në ato raste kur, për arsye të sigurisë, të ushtrimit të autoritetit
publik apo për të ruajtur interesat kombëtare të Shtetit apo të
administratës publike, mund të punësohen vetëm qytetarët e Shtetit
Pritës. Shteti Pritës mundet, në çdo kohë, të refuzojë ose të tërheqë
autorizimin për t’u angazhuar në një veprimtari fitimprurëse, nëse
personi në vartësi nuk i bindet ligjeve të Shtetit Pritës. Nëse personi
në vartësi dëshiron të gjejë një tjetër punë, pasi atij/asaj i është
dhënë autorizimi për t’u marrë me veprimtari fitimprurëse sipas kësaj
Marrëveshjeje, ai/ajo duhet të aplikojë sërish për një autorizim të
tillë nëpërmjet misionit diplomatik. Për profesionet apo aktivitetet që
kërkojnë kualifikime të posaçme, është e nevojshme që anëtari i familjes
të përmbushë rregullat të cilat rregullojnë këto aktivitete në Shtetin
Pritës.
NENI 3
Procedura
Kërkesa për autorizimin për t’u
marrë me veprimtari fitimprurëse do të dërgohet në emër të anëtarit të
familjes nga Ambasada e Shtetit Dërgues në Ministrinë e Punëve të
Jashtme të Shtetit Pritës. Kërkesa do të shoqërohet me dokumentacionin
që autorizon anëtarin e familjes të angazhohet në veprimtarinë e tij
duke treguar identitetin e plotë të personit në fjalë dhe natyrën e
veprimtarisë për të cilën kërkohet autorizimi. Ministria e Punëve të
Jashtme e Shtetit Pritës do të njoftojë zyrtarisht Ambasadën e Shtetit
Dërgues se anëtari i familjes ka marrë autorizimin për t’u angazhuar në
veprimtari fitimprurëse. Procedurat në vijim do të zbatohen në mënyrë të
tillë që të mundësojnë angazhimin e anëtarit të familjes në veprimtari
fitimprurëse sa më shpejt të jetë e mundur, dhe do të favorizohet çdo
kërkesë lidhur me lejen e punës. Autorizimi për t’u angazhuar në
veprimtari fitimprurëse në Shtetin Pritës do të përfundojë dy muaj pas
mbarimit të detyrës të anëtarit të misionit diplomatik apo postit
konsullor.
Përveç rasteve kur Shteti Pritës vendos ndryshe,
autorizimi nuk do t’u jepet atyre përfituesve të cilët kanë qenë të
angazhuar në një veprimtari fitimprurëse, por nuk vazhdojnë të jenë më
pjesëtarë të familjes të personelit të përshkruar në Nenin 1, paragrafi
2a).
NENI 4
Imuniteti nga juridiksioni civil
Në rastin e
anëtarëve të familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni civil dhe
administrativ i Shtetit Pritës në përputhje me Konventën e Vjenës për
Marrëdhëniet Diplomatike ose sipas çdo dokumenti tjetër ndërkombëtar të
zbatueshëm, ky imunitet nuk do të zbatohet në lidhje me asnjë akt të
kryer gjatë veprimtarisë fitimprurëse dhe që nuk përputhet me
legjislacionin civil apo administrativ të Shtetit Pritës.
NENI 5
Imuniteti nga juridiksioni penal
Në
rastin e anëtarëve të familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni
penal i Shtetit Pritës në përputhje me Konventën e Vjenës për
Marrëdhëniet Diplomatike ose sipas çdo dokumenti tjetër ndërkombëtar të
zbatueshëm;
a) Shteti Dërgues u heq imunitetin personave vartës në
fjalë nga juridiksioni penal i Shtetit Pritës për çdo akt apo shkelje që
rrjedh nga veprimtaria fitimprurëse, me përjashtim të rasteve të
veçantë kur Shteti Dërgues konsideron se një anullim i tillë mund të
ishte kundër interesave të tij.
b) Heqja e imunitetit nga
juridiksioni penal nuk do të interpretohet si zbatim imuniteti për
ekzekutim të dënimit, për të cilin do të duhej një kërkesë e veçantë për
heqjen e tij. Në raste të tilla, Shteti Dërgues do ta studiojë me
kujdes heqjen e imunitetit të këtij të fundit.
NENI 6
Kërkesat Fiskale dhe të Sigurimeve Sociale
Në
përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe sipas
çdo dokumenti tjetër ndërkombëtar të zbatueshëm, anëtarët e familjes do
t’i nënshtrohen kërkesave fiskale dhe të sigurimeve sociale të Shtetit
Pritës për të gjitha çështjet lidhur me veprimtarinë e tyre fitimprurëse
në atë shtet.
NENI 7
Zgjidhja e konflikteve
Çdo debat
lidhur me interpretimin dhe zbatimin e kësaj Marrëveshjeje do të
zgjidhet nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe përmes miratimit reciprok.
NENI 8
Kohëzgjatja dhe përfundimi
Kjo
marrëveshje do të mbetet në fuqi për një periudhë kohore të
papërcaktuar. Secila Palë mund ta anulojë këtë Marrëveshje duke i
dërguar njoftim me shkrim Palës tjetër. Marrëveshja do të pushojë së
qeni në fuqi 90 ditë pas datës së marrjes të këtij njoftimi. Marrëveshja
do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit pas datës së marrjes së
njoftimit të fundit në të cilin Palët njoftojnë njëra-tjetrën se
kërkesat e tyre përkatëse kushtetuese e ligjore për hyrjen në fuqi të
kësaj Marrëveshjeje janë përmbushur.
RELACION
PËR
“MIRATIMIN
NË PARIM TË MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS
SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË PËR MUNDËSIMIN MBI
BAZA RECIPROKE TË FAMILJARËVE TË ANËTARËVE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE APO
POSTEVE KONSULLORE PËR T’U ANGAZHUAR NË VEPRIMTARI FITIMPRURËSE”
Marrëveshja
ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe
Qeverisë së Republikës së Serbisë për mundësimin mbi baza reciproke, të
familjarëve të anëtarëve të misioneve diplomatike apo posteve
konsullore, për t’u angazhuar në veprimtari fitimprurëse, ka si qëllim
kryesor lehtësimin e anëtarëve të misioneve diplomatike apo posteve
konsullore, për t’u angazhuar në veprimtari fitimprurëse mbi bazë
reciprociteti, në përputhje me dispozitat ligjore të Shtetit Pritës. Në
nenin 1, të kësaj marrëveshje janë përcaktuar kategoritë personave që
përbëjnë anëtar të misionit diplomatik ose posteve konsullore. Në nenin
2, të kësaj marrëveshjes përcaktohet veprimtaria fitimprurëse që mund të
ushtrojnë familjarët e anëtarëve të misioneve diplomatike apo posteve
konsullore, procedura e pajisjes dhe mospajisjes me autorizim nga Shteti
Pritës, si dhe procedurën që duhet ndjekur prej tyre për t’u pajisur me
autorizim, për të ushtruar këtë veprimtari, duke respektuar ligjet dhe
rregullat e Shtetit Pritës. Në nenin 3, të kësaj marrëveshje,
përcaktohet procedura, dokumentacioni dhe organet kompetente që duhet të
zbatojnë këtë procedurë, për t’u pajisur me autorizim nga Shteti
Pritës, në përputhje me ligjet dhe rregullat e brendshme. Në nenin 4,
përcaktohet se anëtarët e familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni
civil dhe administrativ i Shtetit Pritës në përputhje me Konventën e
Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike ose dokumenti ndërkombëtar të
zbatueshëm, ky imunitet nuk do të zbatohet në lidhje me asnjë akt të
kryer gjatë veprimtarisë fitimprurëse dhe që nuk pajtohet me
legjislacioni civil dhe administrativ të Shtetit Pritës. Në nenin 5,
përcaktohen rastet kur Shteti Dërgues, mund t’i heqë imunitetin penal
anëtarëve të familjes që gëzojnë imunitet nga juridiksioni penal i
Shtetit Pritës, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet
Diplomatike ose dokumenti tjetër ndërkombëtar i zbatueshëm. Në nenin 6,
të marrëveshjes përcaktohet se anëtarët e familjes do t’i nënshtrohen
kërkesave fiskale dhe të sigurimeve shoqërore të Shtetit Pritës për të
gjitha çështjet në lidhje me veprimtarinë e tyre fitimprurëse në atë
shtet. Në rast të konfliktit në lidhje me interpretimin dhe zbatimin e
kësaj marrëveshje, në nenin 7, të marrëveshjes përcaktohet se zgjidhja e
tyre do të bëhet nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe miratimit reciprok.
Në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike
anëtarët e personelit diplomatik do t‘i nënshtrohen kërkesave fiskale
dhe të sigurimeve shoqërore të Shtetit Pritës. Kjo marrëveshje do të
mbetet në fuqi për një periudhë kohe të pacaktuar, derisa Palët të
njoftojnë me shkrim për përfundimin e saj. Marrëveshja është përcjellë
për mendim tek Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave,
mendimet e të cilave janë pasqyruar në marrëveshjen e paraqitur për
miratim. Institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj marrëveshje është
Ministria e Punëve të Jashtme.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.