Vendimet e Mimozës për çimenton e Kosovës në favor të grekëve

Derisa tymos një pas një cigaret në biznes-dhomën e restorantit “Rings” në Prishtinë, Mihailis Sigalas, anëtar i Bordit i “Titan Group” dhe drejtor për Evropë dhe Afrikë i kompanisë, shprehet i bindur se po të mos merrej vendimi i ministres Mimoza Kusari-Lila për tarifën prej 35 për qind për importin e çimentos, “Sharrcemi” në Han të Elezit do të mbyllej.
Vendimin e ministres Kusari-Lila ai e konsideron si akt patriotik dhe në mbrojtje të prodhimit vendor, me ç’rast kërkon që këto masa të zgjasin 4 vjet në mënyrë që fabrika të jetë në gjendje të përballet me konkurrencën e fortë nga Shqipëria dhe Italia.
Sigalas gjatë një interviste për “Zërin” pranon se pas vendimit të ministres për masat ndaj importit të çimentos, pjesëmarrja e kësaj kompanie në tregun e çimentos është dyfishuar.
Zëri: Prej vendimit të ministres Kusari-Lila për taksën prej 35 % të çimentos së importuar, sa është rritur shitja e çimentos së “Sharrcemit”?

Sigalas: Në 5 muajt e parë të këtij viti kemi parë rritje të importeve të çimentos në shkallë prej deri 25 për qind dhe si pasojë e kësaj pjesëmarrja jonë në treg ka rënë prej 60 në 25 për qind. Vetëm importet nga Shqipëria deri në maj të këtij viti kanë arritur në 500-600 mijë tonë. Ndërsa tri vjet më parë importet e çimentos nga Shqipëria ishin shumë të vogla.
Dyfishojnë pjesëmarrjen në treg

Zëri: Sa e keni rritur shitjen e çimentos?

Sigalas: Pjesëmarrja jonë në treg pas hyrjes në fuqi të masave nga Ministria është ngritur në 70 %, deri sa më herët kjo pjesëmarrje ka qenë 34 %, por me tendencë të rënies së vazhdueshme.
Zëri: Pra për më pak se një muaj është dyfishuar pjesëmarrja juaj në treg?

Sigalas. Po e vërtetë. Pothuajse është dyfishuar pjesëmarrja në treg, krahasuar me situatën që ka qenë para hyrjes në fuqi të këtyre masave.
Zëri: Ju e përkrahni këtë vendim të Ministrisë, ndërsa të tjerët e kundërshtojnë. Ku qëndron problemi saktësisht?

Sigalas: Fatkeqësisht edhe pse disa herë jemi munduar ta sqarojmë problemin, e vetmja gjë që ka dalë në media janë dezinformata që ndahen me publikun.
Problemi këtu nuk është mes Kosovës dhe Shqipërisë, por është problem regjional.
Për ta diskutuar këtë çështje do t’i ndaja disa fakte me ju. Industria e çimentos në Evropë merr pjesë në një program të tregtisë të emetimit të CO2 në atmosferë, i cili është plan i BE-së për ta zvogëluar këtë emetim.
Nën këtë plan secila nga këto fabrika e kanë një sasi të lejuar te emetimit të këtyre gazrave që përshtatet me sasinë e emetimit të gazrave dhe kjo quhet e drejta e CO2.
Nën këtë program nëse prodhimi i fabrikës bie nën 50 për qind, atëherë humben 50 për qind të të drejtave të emetimit të CO2.
Çka do të thotë kjo? Nëse një fabrikë operon me 60 për qind të kapacitetit, atëherë 40 për qind të kapacitetit të emetimit të CO2 mund ta shesë në tregun për të drejtat e karbon dioksidit evropian nga e cila mund të sigurojë të ardhura prej miliona euro.
Fakti tjetër ka të bëjë me industrinë e çimentos së Shqipërisë, e cila më herët 100 për qind të nevojave të tregut i ka përmbushur nga importet, pasi më herët e kanë pasur një fabrikë të vogël në Elbasan.
Në 2005 Qeveria e Shqipërisë ftoi investitorët e huaj të investojnë në industrinë e çimentos. Dy kompani iu kanë përgjigjur kësaj kërkese dhe njëra prej tyre është “Titan”, të cilat kanë ndërtuar fabrika moderne atje. Këto dy fabrika kanë kapacitete të prodhimit prej 3 milionë tonë. Kur fabrikat u ndërtuan, kërkesa për çimento në Shqipëri ishte 2.2 milionë tonë me tendencë rritjeje.
Në 2008 për shkak të krizës globale, tregu i çimentos në Shqipëri ka shënuar rënie, ku sivjet ka arritur në 1.5 milionë tonë, derisa importi i çimentos nga Italia nuk u ndal dhe është gjysmë milioni ton në vit dhe 1 milion ton i mbeten dy prodhuesve vendorë.
Industria e Shqipërisë është munduar t’i parandalojë importet, duke i zvogëluar çmimet deri në 40 euro për ton, mirëpo kompanitë italiane vazhduan me eksportin.
Arsyeja për këtë vazhdim të importit është se tregu italian dhe ai grek kishte kolapsuar si rezultat i krizës dhe si pasojë e kësaj nuk mund ta mbanin planin e prodhimtarisë mbi 50 për qind që nuk do t’i lejojë ata t’i mbajnë të drejtat e CO2 që mund të kushtojë humbje dhjetëra miliona euro.
Edhe pse çmimet janë zvogëluar në Shqipëri, atje nuk janë ndalur importet nga Italia madje me çmime nën kosto të prodhimit për të vazhduar t’i mbajnë të drejtat e CO2.
Për ta gjetur zgjidhjen, prodhuesit nga Shqipëria filluan ta shesin çimenton në tregun e Kosovës. Pra prodhuesit italianë do të vazhdojnë të eksportojnë nën kosto të prodhimit për të mos i humbur këto të drejta.
Zëri: Për çfarë kohëzgjatje i keni kërkuar këto masa nga ministrja Kusari-Lila?

Sigalas: Për të qenë konkurrent, për ta realizuar planin disavjeçar të investimeve, masat e tilla për importet e çimentos duhet të zgjasin 3-4 vjet. Këto masa janë në pajtim me ligjet e Kosovës, CEFTA-s, Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Ndërsa me heqjen e këtyre masave “Sharrcemi” nuk do të mundë të mbijetojë.
Në të njëjtën kohë edhe Kosova do ta ndalonte industrinë e vet prodhuese, ndërsa do t’i ndihmonte prodhuesit nga Italia dhe Shqipëria.
Pra, nëse masat nuk do të ndërmerreshin, “Sharrcemi” do ta humbte tregun nga konkurrenca dhe në këtë mënyrë do të shndërroheshim nga prodhuesi në një tregtar të çimentos.
Zëri: Çdo kompani e çimentos pas privatizimit ka investuar 200-260 milionë euro në ngritjen e kapaciteteve prodhuese. Ju e keni blerë fabrikën me 30 milionë euro dhe keni investuar shumë pak. Si mundeni të jeni konkurrent në treg pa investime?

Sigalas: Kemi investuar 200 milionë euro në Shqipëri në ndërtimin e një fabrike të re, e cila ka qenë një ndër fabrikat më moderne. Mirëpo, “Sharrcemi” nuk është rast i njëjtë, sepse atje kemi ndërtuar fabrikë të re. Deri më tash këtu kemi investuar rreth 60 milionë euro investime dhe plani është që të investohen 120 milionë euro.
Dënime dhe padi

Zëri: Si e ndieni veten si udhëheqës i një kompanie të fuqishme në Kosovë kur jeni dënuar nga Dogana e Kosovës për mashtrime me importe të çimentos?

Sigalas: Kjo është dezinformatë tjetër që na ka dëshpëruar. Materiali i importuar, për të cilin na kanë dënuar, nuk ka qenë çimento, por klinker.
Po ashtu ne e kemi pasur një kompani të pavarur ndërkombëtare, e cila na ka konfirmuar se materiali i importuar është klinker, e jo çimento.
Kur e kemi paguar dënimin në Dogana në të njëjtën kohë e kemi nisur një proces gjyqësor në lidhje me këtë çështje, ku konsiderojmë se materiali i importuar është klinker, e jo çimento dhe importi ka qenë në përputhje me ligjin.
Zëri: A është shtrenjtuar çimentoja pas kësaj mase nga Ministria. Në Shqipëri një ton çimento kushton 58 euro, ndërsa në Kosovë thuhet se është ngritur nga 74 në 94 euro?

Sigalas: Në Shqipëri industria e çimentos po lufton me importet italiane. Publikisht kemi thënë se jemi të përkushtuar që nuk do t’i rrisim çmimet e çimentos prej ditës kur masat hyjnë në fuqi e deri në ditën kur ato shfuqizohen. Çmimi i çimentos aktual është 76 euro dhe nuk është ngritur.
Takimi me ministren

Zëri: Ministrja është akuzuar nga përfaqësuesit e biznesit se një vendim i tillë ndërlidhet me korrupsion, cili është komenti juaj?

Sigalas: Kurr më herët nuk e kam takuar ministren Kusari-Lila, ndërsa sot do ta takoj për herë të parë. Mirëpo, ajo e ka zgjidhur këtë çështje në mënyrë patriotike për të mirën e Kosovës. Të gjitha fjalët që fliten janë thashetheme.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT