Kërkohet burg përjetë për vrasësin e Ardian Nikulajt! Kujtim Cakrani AKUZON për diskriminim ndaj Saraivës: Gjykata e di se kush janë autorët e vërtetë të ngjarjes

Pas afro një ore ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj portugezit Ruben Saraiva, i cili akuzohet për vrasjen e biznesmenit lezhjan, Ardjan Nikulaj, ngjarje e ndodhur në prill të 2023.
Pas mbarimit të seancës gjyqësore mësohet se avokati i tij Kujtim Cakrani ka mohuar akuzat dhe provat e paraqitura nga prokuroria e Lezhës, që sipas tij nuk janë të mjaftueshme.
Burimet bëjnë me dije se prokuroria ka kërkuar burg përjetë për Ruben Saraiva, ndërsa avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se nuk ekziston asnjë provë që implikon klientin e tij në këtë ngjarje.
Cakrani mësohet se ka akuzuar drejtorinë e burgjeve për diskriminim ndaj Saraives, pasi sipas tij Saraiva është diskriminuar gjatë kohës që ka qenë në burg dhe i izoluar.
Në lidhje me personat e tjerë për të cilët hetimet nxorrën në pah se kanë bashkëpunuar me Saraiven për vrasjen e Nikulajt, Cakrani nuk ka dhënë asnjë sqarim për të kuptuar nëse autori i njeh ato apo jo.
Sipas avokatit, Saraiva deklaroi në sallën e gjyqit se gjykata e di kush janë autorët e vërtetë të kësaj ngjarje.
Ndërsa seanca e radhës ndaj portugezit Saraiva pritet të zhvillohet më 25 mars, ku pritet të merret një vendim nga ana e gjykatës.
Si ndodhi vrasja e Ardian Nikulajt në derën e biznesit të tij:
Ardian Nikulaj, biznesmeni lezhjan u vra në prill të vitit 2023. Ai ndodhej i ulur brenda lokalit të tij, në momentin kur shtetasi portugez, Ruben Saraiva, i maskuar me skafandër, hyri brenda dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.
Sipas hetimeve, urdhërues i vrasjes dyshohet se ishte Edmond Haxhia, i cili në bashkëpunim me shtetas të huaj kishte vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e Nikulajt, duke monitoruar edhe hotelin ku ai qëndronte, me qëllim përcaktimin e momentit të ekzekutimit.
Pas kryerjes së krimit, disa prej autorëve u larguan nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit, ndërsa të tjerë përdorën rrugë tokësore drejt Greqisë. Megjithatë, ata u arrestuan brenda një kohe të shkurtër, njëri pas tjetrit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit asokohe Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për media bëri me dije se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 6 persona që bashkëpunuan për vrasjen e Nikulajt.
Ata janë katër shtetas britanikë, një shtetas shqiptaro-britanik dhe një portugez. Rrumbullaku tha se policia ka arritur të sigurojë fakte të pakundërshtueshme, ndër to edhe prova shkencore biologjike që kanë çuar në zbardhjen e identitetit të personave të përfshirë në vrasje.
Motivi i krimit, sipas Policisë së Shtetit është gjakmarrja.