Kë paralajmëroi Rama? Tërheqja e kompanisë për ndërtimin e Porto Romanos, kryeministri: Do ta çojmë deri në fund projektin

Gjatë një konference me gazetarët, kryeministri Edi Rama ka komentuar tërheqjen e kompanisë që do të ndërtonte projektin e Porto Romanos.
Rama tha se kompania është tërhequr për shkak të krizës që ka përfshirë botën pas luftës në Lindjen e Mesme. Më tej, ai deklaroi se ndërtimi i këtij porti është strategjik për vendin tonë, pasi është një nyje për Korridorin 8.
Po ashtu, kryeministri deklaroi se ka pasur forca të huaja që nuk kanë dashur që ky port të ndërtohet, të cilët i paralajmëroi se në fund do të mbeten me gisht në gojë.
“Dua t’u jap një mesazh atyre që menduan se e penguan këtë port dhe fërkuan duart duke menduar se ia dolën: e kanë gabim, sepse kanë hapur një rrugë tjetër që nuk do ta ndalin më. Në të njëjtën periudhë kohe, ne do të bëjmë hapin që deri tani ka qenë i pamundur për ta bërë.”, tha Rama.
Rama: Projekti i Portit të Romanos, për fat të keq, është përballur me një koincidencë të pashmangshme, pasi kompania është tërhequr duke iu referuar situatës së krizës. Oferta financiare do të ishte brenda tavanit të vendosur nga kompania për ndërtimin e portit dhe tavanit të vendosur nga qeveria shqiptare. Nuk kemi pse të kthejmë kokën pas.
I gjithë procesi ka qenë nën presion, jo nga SHBA apo BE, por nga faktorë të tjerë që nuk donin që ai port të ishte një histori suksesi. Disa thonë: pse duhet një port i ri kur ne kemi atë “kënetën”, dhe e lidhnin me shitjen e atdheut te arabët. Por e vërteta është se, përtej injorancës që në krye të herës, ka pasur faktorë që nuk donin të ecte projekti i portit të ri. Pse? Sepse porti i vjetër nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja e Korridorit 8. Këtë nuk e them unë, por të gjitha analizat e bëra, pasi ai ndodhet në zemër të qytetit dhe nuk mban dot të gjithë peshën e këtij korridori.
Porti i ri e çon Shqipërinë dhe shqiptarët në një nivel tjetër, pasi është lidhur me një tjetër nyje: Portin e Thatë të Prishtinës dhe të Shkupit. Ky i fundit parashikohej në Strugë, por qeveria e re e devijoi në Shkup. Nëse ju mendoni se të gjithë po presin që shqiptarët të bëhen më të fortë, ju siguroj që ka forca që nuk e duan këtë, pasi ka lidhje me interesa ekonomike të disa vendeve.
Ka edhe një fakt tjetër: vetë Korridori 8 është pjesë e rrjetit europian të transportit që gjendet në zyrat e BE-së në Bruksel. Duke filluar nga financimi, pasi çdo korridor që nuk është në atë hartë nuk financohet, siç është aksi Durrës–Prishtinë që ne do të ndërtojmë me Kosovën.
Korridori 8 është futur në rrjet në samitin e BE-së në Tiranë, pasi unë dhe qeveria ime kemi luftuar për vite për të hequr këtë bllokim. Pse e kishin bllokuar vendet e BE? Pas futjes së Korridorit 8 në rrjet, ai u bë pjesë edhe e rrjetit të sigurt të lëvizjes së NATO-s. Projekti i portit ka kaluar të gjithë proceset.
Për seriozitetin e këtij projekti, ne morëm kompaninë më të madhe në botë, e cila ka përgatitur të gjitha termat e referencës dhe ka zhvilluar dy herë garën. Herën e parë kriteret kanë qenë shumë të forta dhe gara është anuluar. Këtë herë ndodhi një koincidencë: kompania është tërhequr për shkak të krizës.
Dua t’u jap një mesazh atyre që menduan se e penguan këtë port dhe fërkuan duart duke menduar se ia dolën: e kanë gabim, sepse kanë hapur një rrugë tjetër që nuk do ta ndalin më. Në të njëjtën periudhë kohe, ne do të bëjmë hapin që deri tani ka qenë i pamundur për ta bërë.
Të gjithë ata që kanë menduar se do të dështojë, do të mbeten me gishtin që zgjedhin vetë në gojë.